Bylykbashi: Rama po tenton hapur ta shkatërrojë marrëveshjen për zgjedhoren - Gazeta Express
string(74) "bylykbashi-rama-po-tenton-hapur-ta-shkaterroje-marreveshjen-per-zgjedhoren"

Bylykbashi: Rama po tenton hapur ta shkatërrojë marrëveshjen për zgjedhoren

Gazeta Express

11/07/2020 22:20

Kur u duk se ujërat politike u qetësuan një krizë e re duket se po troket. Një fakt të tillë e paralajmëron firmëtari i marrëveshjes së 5 qershorit, Oerd Bylykbashi, duke e akuzuar Ramën për ndryshim të rregullave të lojës pak muaj para zgjedhjeve.

Bylykbashi: Jemi para një krizë politike që po shkatërron marrëveshjen për reformën zgjedhore, po rrënon reformën zgjedhore, dhe kriza politike do të jetë e jashtëzakonshme. Gjithësesi Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme do të zhduket nga pushteti, opozita është gjithmonë e më shumë duke u bërë gati për këtë.Mbështetja ndërkombëtare për opozitën në këtë aspekt është e qartë. Është konsideruar një veprim diabolik i Edi Ramës. Konsiderohet si një veprim që është në keqbesim dhe thyerje e rregullave të lojës para fillimit të lojës.

Lexo Edhe:

Për Ora News, Bylybashi thotë se Rama me kërkesën për ndryshime kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore po shkatërron marrëveshjen.

Bylykbashi: Është më shumë se tensionin, është një tentativë e hapur e kryeministrit Rama për të shkatërruar marrëveshjen. Ajo që po bën tani me këtë manovër të shëmtuar duke nxjerrë disa bedelë politik për të paraqitur në parlament një projektpropozim për ndryshimin e Kushtetutës që është e shkruar nga fillimi deri në fund nga Edi Rama, pasi të gjitha janë nevojë e Edi Ramës. Gjeti këta bedelë politikë për të luajtur këtë lojë të shëmtuar ku qëllimi është shkatërrimi dhe minimi i marrëëveshjes. Me këtë që po ndodh, marrëveshja është drejt shkatërrimit.

Opozita parlamentare ka depozituar katër kërkesa në Kuvend që konsistojnë në ndryshimin e zonave zgjedhore nga qarqe në rajone, heqjen e koalicioneve, rritjen e pragut zgjedhor në 5% dhe listat e hapura rajonale.

Vetë Kryeministri foli për korrektim të sistemit dhe jo ndryshim sistemi. Por Bylykbashi thotë se sistemet nuk mund të ndërrohen me pjesë.

Bylykbashi: Sistemet nuk ndërrohen me pjesë, duhet ndërruar i tëri nëse nuk bën. Ka ikur koha kur merrej makina dhe i ndërrohej motori për të sajuar diçka allashqiptarçe. Dëgjova zotin Rama që tha diçka qesharake, korrektimi i sistemit. Nuk ekziston korrektimi i sistemit, ajo që po ndodh është bastardizimi i sistemit zgjedhor. Ne sot kemi 12 qarqe, propozojnë të futin rajonet. PS prej kohësh synon të krijojë katër rajone të mëdha, ka organizuar dhe partinë në katër rajone. Jemi para ndryshimnit të rregullave të lojës të partive politike fare pak datës së zgjedhjeve, është koncept i papranueshëm. Së dyti heqja e koalicioneve.Është sistemi limfatik i sistemit zgjedhor. Forma aktuale e koalicionit ekziston që në 2003, ka 17 vjet traditë.Edhe kur janë në koalicion nuk fshihen pas siglës , zgjedhësit kanë të drejtë të zgjedhin të votojnë PD, LSI apo Partinë Republikane. Vota është transparente.

Ajo që po përpiqen të bëjnë është ose heqja e koalicioneve krejtësisht ose një gjë që është shumë herë më e shëmtuar, koalicioni me listë të përbërë, një element tmerrësisht problematik në 2001 që i bën partitë të gjitha bashkë që do të çojë në vrasjen e partive të vogla.Koalicionet shërbejnë për të mbrojtur partitë e vogla, sigurisht i shërben edhe partisë së madhe të koalicionit. Tentativa e Ramës është të bëjë një genocid të partive të vogla dhe gjëja e shëmtuar është që e kërkojnë  përfaqësues të asaj që e quajnë veten opozitë parlamentare që ndërkohë paskan dhe synime për të kandiduar më vetë, kjo është një harakiri.

Koalicionet nuk janë element i sistemit zgjedhor si gjë specifike është instrument kushtetues. Neni 96 i Kushtetutës që këto amendamente nuk e prekin parashikon që propozimin për Kryeministër e bën partia më e madhe ose koalicioni më i madh. Duke vrarë koalicionin më të madh Rama shpreson që të jetë vetëm ai që të ofrojë pazarin për krijimin e qeverisë. Ne themi jo pazar pas zgjedhjeve por ofertë përpara zgjedhjeve. Edhe pragu zgjedhor është një harakiri i këtyre bedelëve politikë.

Bylykbashi thotë se sistemi i Kosovës nuk është shembulli për tu marrë.

Bylykbashi: Shembulli i Kosovës është shembulli për të mos u marrë. Sitemi i Kosovës është një model sesi nuk duhet të funksionojnë sistemet zgjedhore. U desh të ndërhynte Gjykata Kushtetuese. Kemi 30 vite që kemi koalicionet, Edi Rama ka frikë se është vetëm, frika e tij është koalicioni i madh i opozitës që ka përballë.

Ish-deputeti demokrat konfirmon ofertën e Ramës ndaj Bashës, teksa thotë se mesazhet e tij për këtë lëvizje të fundit ishin dhënë tre javë para se opozita parlamentare të dilte me propozimin për ndryshime kushtetuese.

Bylykbashi: Edi Rama është gati të kacavirret me thonj në xham dhe në këtë rast bënte të tilla oferta të shëmtuara që kanë marrë një përgjigje të qartë jo. E dinim që kjo të ndodhte. Mesazhet ishin tre javë para se deputetët të merrnin një fletë të shkruar në kryeministri dhe ta tundnin. Kemi një marrëveshje që ka një bekim ndërkombëtar.Marrëveshja u bë dhe do të zbatohet. Janë dy nene në amendamentet e kodit zgjedhor që rregullojnë mënyrën si funksionon koalicioni. Nëse ndryshon Kushtetuta siç po tenton Edi Rama do të ndryshojnë pjesë të kodifikimit të marrëveshjes.E kemi të ndërtuar gjithë procesin e numërimit të votave mbi një proces që është një fletë votimi shumë e thjeshtë. Nëse futim një proces votimi me lista të hapura do të na duhet të rishkruajmë në mënyrë të plotë mënyrën si është fleta e votimit, do të përfundojë si një fletë telebingoje me numra.

Ajo marrëveshje do të miratohet e pandryshuar, siç thotë marrëveshja, edhe një presje po ti ndryshohet duhet të kthehet në Këshillin Politik. Ajo që thotë Rama jo vetëm prek marrëveshjen por rregullat e lojës dhe këtë do ta bëjë 9 muaj para zgjedhjeve. Kjo që po ndodh po mban peng marrëveshjen dhe miratimin e kodit zgjedhor. Dakordësia mes meje dhe Gjiknurit ishte që brenda 15 korrikut të miratohej kodi zgjedhor në Kuvend. Brenda korrikut të kemi zgjedhjen e KQZ me tre organe. Parlamenti do të mbyllet në gusht por komisioni i ri qëndror i  zgjedhjeve do të fillonte procedurat për projektin e identifikimit biometrik. Rama po e shtyn për ta bërë të pamundur.

Ndërkohë Bylykbashi zbuloi se Këshilli Politik do të duhet të përgatiste amendamentet edhe për disa çështje të rëndësishme që kompletojnë reformën zgjedhore.

Bylykbashi: E them për herë të parë këtu te ju se është dhe një grup amendamentesh të tjera të rëndësishme që janë të diskutuara por nuk janë miratuar në Këshillin Politik dhe nuk janë të certifikuara me firmën e katër anëtarëve, që kanë të bëjnë me rekomandimet prioritare, shitblerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit, abuzimi me burimet shtetërore, sekreti i votës, liria e votës dhe një seri remomandimesh të tjera që marrëveshja e 5 qershorit nuk i trajton por i përmend në pikën 11 si detyrim për ti përmbushur. Këshilli Politik ka diskutuar por nuk ka miratuar amendamente për këto çështje. Duke prishur besimin dhe procesin është bërë e pamundur që Këshilli Politik të çonte në parlament për miratim edhe këtë grup amendamentesh që do të bënte që reforma zgjedhore të quhet e përmbushur. Pa to është e papërmbushur./ora