Në ndeshjen e Premierligës mes Wolverhamptonit dhe Liverpoolit, e cila u zhvillua në “Molineux Stadium”, tifozët e të dy skuadrave u bashkuan në një moment emocionues respekti për Diogo Jotan, ish-sulmuesin që e pati një karrierë të shkurtër por të paharrueshme te të dy klubet, përpara se të ndërronte jetë tragjikisht në një aksident automobilistik vitin e kaluar.
Në minutën e 18-të të ndeshjes, një duartrokitje e gjatë përkujtimore shpërtheu në stadium — një referencë kjo për numrin e fanellës që Jota e mbante te Wolves — dhe tifozët e Liverpool menjëherë iu përgjigjën me të njëjtin respekt.

Në minutën e 20-të, mbështetësit e të dyja ekipeve u ngritën sërish në këmbë për ta nderuar Jotan, duke e kujtuar numrin e tij ikonik te Liverpooli, shkruan “Gazeta Express”.
Në tribunat e “Molineux” u shfaq edhe një banderolë e madhe përkujtimore, që e shfaqte fytyrën e Jotas me mesazhin “Nga errësira lind drita” në anglisht, një mënyrë simbolike për ta kujtuar ndikimin e tij të thellë te fansat dhe komuniteti futbollistik.
“Faleminderit Diogo, përgjithmonë numri ynë 20”, shkruante në pankartën e tifozëve “Reds”.
Përtej duartrokitjeve, atmosfera ishte e mbushur me këngë dhe skena emocionuese, me tifozët që mbanin në duar kartonë që përzienin ngjyrat e të dy klubeve dhe fytyrat e Jotas, duke shfaqur një njësi unike respekti dhe dashurie për lojtarin që dha shumë për të dy ekipet.
Trajneri i Wolves, Rob Edwards, u pa gjithashtu duke iu bashkuar duartrokitjeve të tifozëve në nderim të Jotas gjatë minutës së homazheve — një gjest që u mirëprit me respekt nga tifozët e të dy skuadrave. /Gazeta Express
Reiseburo Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se duke filluar nga data 28 Qershor, do të ofrohen fluturime direkte dy...