Buxheti i vitit 2026 në proces të hartimit nga qeveria në detyrë, pretendon ta miratojë para 31 tetorit - Gazeta Express
string(102) "buxheti-i-vitit-2026-ne-proces-te-hartimit-nga-qeveria-ne-detyre-pretendon-ta-miratoje-para-31-tetorit"

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 11:00

Buxheti i vitit 2026 në proces të hartimit nga qeveria në detyrë, pretendon ta miratojë para 31 tetorit

Lajme

Gazeta Express

27/09/2025 11:00

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve aktualisht është në proces të zhvillimit të dëgjimeve buxhetore me organizatat buxhetore për projektbuxhetin e vitit 2026. Sipas tyre, aprovimi i Ligjit për Buxhetin pritet të bëhet deri më 31 tetor, afat i përcaktuar edhe me ligj. Megjithatë, ngritën shqetësime që mungesa e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku rrezikohet që vendi të mbetet pa buxhet për vitin e ardhshëm.

Në partitë ish-opozitare, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe organizata të shoqërisë civile, thonë se nëse s’ka shumicë parlamentare në Kuvendin e Kosovës për të miratuar buxhetin, do të bllokohen të gjitha pagesat prej 1 janar 2026.

Në Ministrinë e Financave në një përgjigje për kp, thonë se projektbuxheti për vitin 2026, pritet të miratohet brenda afateve ligjore, derisa theksojnë se para lëshimit të qarkores buxhetore, janë realizuar të gjitha analizat përkatëse dhe janë zhvilluar diskutimet me organizatat buxhetore, përfshirë edhe konsultimet me nivelin komunal.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve aktualisht është në proces të zhvillimit të dëgjimeve buxhetore me organizatat buxhetore për projektbuxhetin e vitit 2026. Aprovimi i Ligjit për Buxhetin pritet të bëhet brenda afateve të përcaktuara me ligj. Sa i përket qarkores buxhetore, për të nuk mbahen dëgjime publike. Megjithatë, para lëshimit të saj janë realizuar analizat përkatëse, janë zhvilluar diskutime me organizatat buxhetore, është mbajtur Komisioni i Granteve për financimin komunal dhe janë zhvilluar konsultime me nivelin komunal”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mirëpo kritika ndaj qeverisë në detyrë në lidhje me projektbuxhetin për vitin 2026 adreson deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Sipas tij, Ministria e Financave nuk ka respektuar procedurat e domosdoshme në hartimin dhe miratimin e buxhetit të shtetit.

Megjithatë, ai thotë se qeveria në detyrë, duhet të miratojë projektbuxhetin në ekzekutiv, edhe pse nuk mund ta dërgojë në Kuvend për miratim derisa i njëjti të konstituohet.

Sipas Hotit, pasojat nëse nuk miratohet buxheti për vitin 2026 janë të mëdha, derisa fajtore kryesore thotë se është Lëvizja Vetëvendosje. Ai shton se mund të gjenden modalitete për ta miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, e njëra ndër to, sipas tij, është formimi i një qeverie të përkohshme.

“Qeveria edhe pse është në detyrë, duhet ta përgatisë komplet projektligjin e buxhetit për vitin 2026 dhe ta miratojë në Qeveri. Nuk mund ta dorëzojë në Kuvend, sepse nuk ka Kuvend të konstituar. Kjo e ka për obligim që ta miratojë draft-buxhetin, pra projektligjin e buxhetit për vitin 2026, brenda afateve ligjore, siç përcaktohet në Ligjin për menaxhimin e financave publike… Nëse nuk ka buxhet të miratuar deri më 31 dhjetor të këtij viti, më 1 janar, sipas ligjit, bllokohen të gjitha pagesat, pa përjashtim, përveç borxhit shtetëror që Ministria e Financave e ka për obligim të kryejë për marrëveshjet e borxhit shtetëror. Asnjë pagesë tjetër nuk mund të procedohet. Kjo tregon papërgjegjësinë e kësaj partie që ka dalë e para në zgjedhje, duke mos hapur rrugë për formimin e institucioneve, ose duke mos, si me thënë, bërë publike pamundësinë e saj për të themeluar qeverinë e re dhe për të kërkuar dialog politik se si të ecet përpara. Ka modalitete sesi të ecet përpara. Mund të themelohet qeveria e përkohshme për të kryer disa… Ne kemi dhënë një opsion dhe ka modalitete”, thotë ai.

E ngërçi politik në të cilin ndodhet vendi që gjysmë viti, po ndjehet edhe në komuna, thotë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai thekson se nëse nuk ka konstituim të plotë të Kuvendit dhe më pas formim të qeverisë së re, komunat rrezikojnë të përballen me probleme buxhetore nga janari i vitit të ardhshëm.

“Gjithashtu kemi edhe çështjen e buxhetit të komunave të Republikës së Kosovës. Me legjislacionin në fuqi, komunat i miratojnë buxhetet e tyre komunale deri më 30 shtator të këtij viti për vitin e ardhshëm. Nëse nuk kemi organe legjislative dhe ekzekutive në nivelin qendror të konstituuara, atëherë komunat mund të mbesin pa buxhet vitin e ardhshëm, jo vetëm komunat, por i gjithë shteti. Për këtë arsye theksoj se këto probleme janë shumë-dimensionale në nivelin lokal dhe po shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur, këto organe të konstituohen në mënyrë që të fillojë një jetë normale në Republikën e Kosovës. Pra, pasojat për nivelin lokal janë shumë-dimensionale”, thotë ai.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ngre dilema juridike nëse qeveria në detyrë mund të miratojë buxhetin për vitin 2026.

Sipas tij, ky ligj duhet të votohet nga një qeveri legjitime dhe legale para datës 31 tetor dhe t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim deri në muajin dhjetor.

“Po rrezikojmë të mos kemi buxhet për vitin tjetër fiskal. Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, një ligj i tillë duhet të votohet nga një qeveri legjitime dhe legale para datës 31 tetor që t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim deri në muajin dhjetor”, thekson Jakaj.

Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Ngërçi politik është tek konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ku aktualisht Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme mbi bazën e ankesës së Listës Serbe, e cila erdhi pasi kryeparlamentari, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.

Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit./KP/