Busulla e fundit nga Agim Ramadani, rrëfimi që prek zemrat pas 27 vitesh nga Kosharja - Gazeta Express
string(84) "busulla-e-fundit-nga-agim-ramadani-rrefimi-qe-prek-zemrat-pas-27-vitesh-nga-kosharja"

Lajme

Gazeta Express

12/04/2026 12:54

Busulla e fundit nga Agim Ramadani, rrëfimi që prek zemrat pas 27 vitesh nga Kosharja

Lajme

Gazeta Express

12/04/2026 12:54

Në 27 vjetorin e betejës që do të hynte në histori, në Koshare, ish-komandanti i Batalionit Njësia Topi, Feriz Trezhnjeva ruan ende të freskët kujtimin e takimit të fundit me heroin Agim Ramadani.

Me emocionet edhe pas kaq vitesh, ai rrëfen për KosovaPress momentin kur komandant Katana i dhuroi  një busull topografike, si një medalje nderi dhe mirënjohjeje.

27 vite pas, tash duke folur nga kompleksi memorial në Koshare ku prehen 114 dëshmorët e kësaj beteje, ish-komandanti i batalionit kundër-blindues vlerëson se Beteja e Koshares mbetet një nga më të lavdishmet në historinë e shqiptarëve.

Sipas tij, ajo ishte një operacion i mirëfilltë ushtarak, i planifikuar dhe udhëhequr nga profesionistë të të gjitha fushave, nga këmbësoria e artileria, deri te logjistika dhe mjekësia.

Duke kujtuar rolin e tij si komandant i njësisë me topa 75 dhe 82 mm, veterani shpjegon motivimin për t’iu bashkuar luftës, edhe pse vinte nga Shqipëria.

Trezhnjeva kujton se si ardhja e tij në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së u prit me gëzim të jashtëzakonshëm nga komandantët e Brigadës 138, veçanërisht nga Agim Ramadani.

Momenti më dramatik dhe më prekës i rrëfimit të tij lidhet me natën e 8 prillit 1999, pak para fillimit të sulmit për thyerjen e kufirit. Pasi morën urdhrin përfundimtar luftarak, komandantët u përshëndetën me njëri-tjetrin, të vetëdijshëm për rrezikun që i priste.

E po këtë natë, komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani, Trezhnjeva e kishte nderuar me një dhuratë në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në luftën e Kosovës.

“Morëm detyrat dhe përgjegjësitë, për arsye se ne kishim përgatitur planin operativ, se secila komandë njësie si do të zhvillojë operacionin e vet luftarak, ku do të godasë objektivat, sa do të depërtojë, pra i kishim bërë në planin operativ të gjitha. Po aty morëm urdhrin luftarak përfundimtar. Më kujtohet, ishte një rast shumë dramatik kur u përshëndetëm të gjithë që ne të lëvizim me njësitë tona nëpër hapësirat e territorit të Koshares…. Pasi desha me dalë prej jashtë, më drejtoi: “Komandant Trezhnjeva” dhe unë u drejtova. Tha ‘Unë për ty kam një dhuratë’ Dhe e mori atë busull topografike dhe ma vendosi si një medalje në qafë, të cilën nuk e harroj kurrë, dhe m’u shpreh në këtë mënyrë: “Për kontributin dhe ndihmën që po na jep, këtë e ke dhuratë nga unë. Nuk e di se kur do të shihemi.” Kjo ishte fjala e fundit e Agim Ramadanit. Dhe mua më ranë lotët, kuptohet, ishin emocione dhe u përqafuam edhe një herë. Atëherë kemi komunikuar me datën 9 prill gjashtë herë me Agimin me radiolidhje, për sa i përket koordinimit të zjarrit, për sa i përket veprimeve luftarake, në mënyrë që të gjithë neve të jemi të koordinuar për sulmin e Betejës së Kosharës”, shprehet ai.

E 27 vite pas ish-komandanti i Batalionit Njësia Topi, Feriz Trezhnjeva thotë se rënia e komandant Katanës më 11 prill 1999 ishte një goditje e rëndë, por nuk e kishte thyer moralin e ushtarëve.

Beteja e Koshares është beteja më heroike e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi luftëtarët arritën ta thyejnë kufirin Kosovë-Shqipëri i cili ishte vendosur njëqind vjeç më parë. Kjo betejë që nisi më 9 prill 1999 përfundoi më 10 qershor 1999. Në altarin e lirisë ranë dëshmorë 114 luftëtarë ndër ta edhe komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani, ndërsa mbetën të plagosur 380 ushtarë të tjerë./KP

Advertisement
Advertisement
Advertisement