Business NOT as usual: Covid-19 dhe rrëmuja ligjore që duhet vet-izoluar - Gazeta Express
string(71) "business-not-as-usual-covid-19-dhe-rremuja-ligjore-qe-duhet-vet-izoluar"

Business NOT as usual: Covid-19 dhe rrëmuja ligjore që duhet vet-izoluar

Gazeta Express

15/03/2020 14:20

Në kohën kur Qeveria merr masa për parandalimin dhe kontrollimin e situatës, organet e rendit dhe e shëndetësisë qëndrojnë palodhshëm në frontin e punës, është e udhës që si individë të jemi gjithashtu të informuar për detyrimet dhe pasojat ligjore që na prekin nga përhapja globale e Covid-19. Për aq sa na takon, secili prej nesh duhet të kujdesemi dhe të minizojmë pasojat negative që përhapja e këtij virusi të frikshëm po lë tashmë edhe në raporte juridike.

Fëllënza Limani*

Lexo Edhe:

Prishtinë, 15 mars 2020

Shqetësimi primar nga përhapja e Covid-19 është shëndeti dhe mirëqenia e të gjithë personave që preken nga ky virus. Megjithatë, nuk mund të injorojmë njoftim pas njoftimi anulimet e konferencave, kampionateve, fluturimeve, etj. Po aq shqetësuese është se si do të arrijnë punëdhënësit dhe bizneset që ta përballojnë këtë situatë në kuadër të kontrave të ndryshme të prodhimit, furnizimit, punësimit apo të tjera, ndoshta përjashtuar këtu kompanitë që merren me prodhimin e maskave dhe dezinfektantëve,

Ky artikull tenton të ofrojë disa udhëzime praktike se si bizneset dhe individët mund t’i qasen kërcënimit të Covid-19 nga një perspektivë ligjore, së bashku me përgjigje për disa nga pyetjet juridike që lindin në lidhje me efektin e kësaj pandemie në raport me detyrimet kontraktore.

A është Covid-19 një ngjarje e “forcës madhore” në kontrata?

Për nga perspektiva ligjore, pyetjes se çfarë ndodh me detyrimet e mia në pamundësi të veprimit nga Covid-19, përgjigjen ia gjeni tek kontrata dhe e drejta e zbatueshme në Kosovë. Në thelb ekzistojnë tre alternativa; por për të përcaktuar këtë, së pari duhet të analizoni kontratat në fjalë dhe të rilexoni të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në të.

Si fillim, shikoni nëse kontrata juaj përmend apo ka një klauzolë të ashtëquajtur “forca madhore”. Për të zbërthyer këtë zhargon të famshëm juridik, forca madhore apo siç referohet ndryshe në kontrata edhe si “fuqia madhore” apo “vis major”, është një klauzolë e kontratës e cila liron palët nga përgjegjësia dhe detyrimet në rast se një ngjarje apo dukuri e jashtme, e cila nuk mund të parashikohej, të mënjanohej apo të evitohej dhe e cila është jashtë kontrollit të palëve, pamundëson apo vështirëson përmbushjen e detyrimeve të palës nga kontrata. Shembuj që rëndom përmenden në kontrata janëkryengritjet, luftërat, përmbytjet, rrufeja, tërmetet, shpërthimet vullkanike, deri tek aktet e zotit. Ajo çfarë kryesisht e dallon këtë klauzolë nga situata të tjera që parashikohen në kontratë apo në ligje (të cilat përmenden më poshtë) është se në të shumtën e rasteve zbatimi i kësaj klauzole nuk i pushon përfundimisht detyrimet kontraktore, por vetëm sa i pezullon ato deri në përfundimin e ngjarjes apo rrethanës së forcës madhore.

Ndryshe nga shumë vende të tjera që ofrojnë një përkufizim të qartë të këtij koncepti në kodet përkatëse civile, në ligjet e Kosovës nuk ka një të tillë, duke e lënë kështu përkufizimin e saj tek kontratat e lidhura ndërmjet palëve. Ndaj dhe lind pyetja nëse mund të konsiderohet përhapja e këtij virusi si një rrethanë e forcës madhore për efekt të kontratës?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet shikuar kontrata në fjalë, ku në përputhje me parimin e autonomisë së vullnetit, palët janë të lira për të vendosur se çfarë ngjarjesh apo rrethanash do të përbëjnë forcë madhore në kontratë. Diçka tjetër që duhet përcaktuar gjithashtu është se me cilat ligje qeveriset kontrata në fjalë.Sisteme juridike apo juridiksione të ndryshme mund të kenë qasje dhe përkufizime të ndryshme të forces madhore.

Në të shumtën e rasteve, klauzola e forcës madhore përcakton një sërë kushtet që duhen përmbushur që një rrethanë apo akt të konsiderohet si rast i forcës madhore. Këto klauzola zakonisht shoqërohen edhe me shembuj konkretë, që varësisht nga gjuha e përdorur në klauzolë, mund të paraqiten në formën e një listë shteruese apo joshteruese. Mirëpo, përveç këtyre kushteve, palët duhet të vlerësojnë me kujdes nëse klauzola kërkon ndonjë veprim shtesë, siç mund të jetë detyrimi për të njoftuar palën tjetër apo ndonjë konfirmim zyrtar për rrethanën/aktin  në fjalë.

Në një shembull të rëndomtë i marrënga një kontratë e publikuar nga një ofrues shërbimesh televizive në Kosovë, klauzola e forcës madhore thotë: “Asnjëra palë nuk është e përgjegjëse për dështimin e përmbushjes së obligimeve të shkaktuara nga ose që rezultojnë nga Forca Madhore që përfshin ngjarjet që janë të paparashikueshme, të papritura, të pa rezistueshme dhe përtej kontrollit të palëve, siç është moti i ashpër dhe ekstrem, përmbytje, rrëshqitje dheu, tërmet, stuhi, vetëtimë, zjarr, akte terrorizmi, luftë (me apo pa deklarimin e luftës), trazira, eksplodime, grevë ose protesta të punëtorëve, trazira civile, sabotazh, shpronësim nga ana e qeverisë ose akte tjera apo ndonjë ndodhi që është jashtë kontrollit të arsyeshëm të Palës përkatëse.”

Me një përkufizim të tillë, i cili mund të konsiderohet si relativisht i gjerë, pamundësia e përmbushjes së detyrimeve të kontratës për shkak të Covid-19 mund të interepretohet si forcë madhore. Pra, është  esenciale që të analizohet mirë se çfarë situatash parasheh kontrata si forcë madhore dhe nëse klauzola i liston ato shprehimisht apo lë hapësirë me togfjalë si “akte të tjera apo ndodhi që janë jashtë kontrollit të arsyeshëm të palës”. A përmendet shprehimisht epidemia apo pandemiatek lista e shembujve? Nëse jo, a munden palët të thirren në doktrinën e forcës madhore duke u bazuar në faktin se Covid-19 është një ngjarje e cila nuk mund të parashikohej, evitohej apo kontrollohej nga palët në kohën nëse kanë nënshkruar kontratën para shpërthimit të virusit?

Çfarë mund të mësojmë nga shembujt e botës?

Për shembull, Këshilli Kinez për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare së fundmi u ka mundësuar biznesve kineze, operacionet e të cilëve janë ndikuar apo pamundësuar nga korona virusi, që të pajisen me të ashtëquajturat “çertifikata të forcës madhore”. Sipas tyre, qëllimi i këtyre çertifikave është që t’i lirojë palët nga përgjegjësia për mos-përmbushje apo përmbushje të pjesshme të detyrimeve në kontratë sipas ligjeve komerciale kineze. Sipas Financial Times, gjatë muajit shkurt 2020, ky Këshill ka lëshuar qindra çertifikata të tilla si dëshmi për ato biznese që u detyruan të zgjasin afatet e ndërprerjes së punës në fabrika si pasojë e virusit.

A ka rrugëdalje tjetër përveç forcës madhore?

Në rast se kontrata nuk përmban një klauzolë të tillë, e thënë të drejtën rastet nuk janë të pakta në Kosovë, palët mund të gjejnë ngushëllim në koncepte të përafërta, siç janë (i) pamundësia e përmbushjes dhe (ii) doktrina rebus sic stantibus(apo e njohur në gjuhën e thjeshtë si “rrethanat e ndryshuara”). Të dy këto koncepte janë të rregulluaraedhe me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, gjithmonë duke supozuar se ligjet qeverisëse të kontratës janë ato të Kosovës.

Neni 116 i Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore iu vjen në ndihmë palëve të kontratës duke u mundësuar zgjidhjen apo ndryshimin e kontratës në rast se pas lidhjes së sajjanë krijuar rrethana që e kanë vështrirësuar apo pamundësuar përmbushjen e detyrimit të njërës palë në atë masë sa është e qartë se kontrata nuk i përgjigjet më asaj që është pritur nga palët kontraktuese.

Në gjendjen me të cilën po ballafaqohen një sërë biznesesh, si p.sh. furnizuesit apo prodhuesit që lëndën e parë e marrin p.sh. nga Kina, lind pyetja nëse koronavirusi është një shembull e ndryshimit të rrethanave? Sigurisht se kjo varet nga rasti në rast, sidomos duke marrë parasysh kohën, qëllimin dhe natyrën e kontratës si dhe informacionet në dispozicion të palëve në kohën e nënshkrimit të saj. Në një rast të tillë, pala do të duhet të argumentojë se pandemia ka ndikuar në atë formë tek kushtet e kontratës sa e ka bërë të pamundur përmbushjen e tyre dhe se e njejta nuk mund të ishte parashikuar apo evituar, duke e bërë të padrejtë që kontrata të mbetet në fuqi ashtu siç ishte paraparë fillimisht. Ngjashëm, ligji këtu kërkon që pala e cila thirret në zgjidhjen apo ndryshimin e kontratë si pasojë e rrethanave të ndryshuara domosdoshmërisht duhet të njoftojë me kohë palën tjetër kotraktuale, pasi në të kundërt rrezikon të përgjigjet për dëmin në kontratë.

Klauzola rebus sic stantibusnë përgjithësi zbatohet në raste ekstreme, por në anën tjetër ekziston edhe koncepti i pamundësisë së përmbushjes si një alternativë për t’u shqyrtuar në këto rrethana. Më saktësisht, kur përmbushja e detyrimit të njërës palë bëhet e pamundur si pasojë e një ngjarje për të cilën nuk është përgjegjëse asnjëra palë, shuhet edhe detyrimi i palës tjetër. Në rast se pala e tjetër veçse ka përmbushur ndonjë pjesë të detyrimit të saj, i lind e drejta për të kërkuar kthimin si në rregullat e pasurimit të pabazë.

Për sa më sipër, se çfarë rruge ligjore do të ndjekë pala për t’u liruar nga përgjegjësia nga mos-përmbushja e detyrimeve kontraktore si pasojë e Covid-19 varet nga rasti në rast. Ajo çka mbetet e vlefshme për të gjithë palët, zbatimi i kontratave të të cilëve është prekur nga përhapja e virusit Covid-19, është që të rishikojnë kushtet e kontratës për të identifikuar sa më shpejt që është e mundur veprimet që duhet të ndërmarrin në kuadër atyre kontratave. Çështje të tjera ligjore me të cilat mund të ballafaqohen sektori privat dhe ai publik si rrjedhojë e masave parandaluese dhe përhapjes së mëtejshme të Covid-19 paraqiten shkurtimisht në vijim.

Pasojat ligjore dhe ekonomike të Covid-19 janë të pashmangshme

Kosova nuk bën përjashtim nga pasojat që përhapja e virusit ka shkaktuar në ekonominë botërore. Me zbatimin gjithnjë e më strikt të masava parandaluese, ndonëse në të mirën e shëndetit publik, punëtorët edhe bizneset e prekura sigurisht se veçse kanë filluar të ndjejnë vështirësi financiare. Borxhet e mëdha ekzistuese, një krizë e mundshme e likuiditetit dhe ulja drastike e kërkesës tek shumë biznese pritet të lënë pasoja të rënda tek biznesi. Andaj, ndër të tjera bizneset duhet të jetë vigjilente dhe të analizojnë aftësinë për të përmbushur detyrimet e tyre të pagesës si dhe menaxhimin e rrjedhës së parave. Nëse situata financiare përkeqësohet, bizneset do të duhet të marrin parasysh nëse është koha për të iniciuar procedurat e riorganizimit apo të falimentimit, ndërprerjen e kontratave të punës, etj.

Masat parandaluese sigurisht se kanë prekur edhe punëdhënësit, sektorin privat dhe atë publik pa përjashtim. Ndër të tjera, në këtë situatë, punëdhënësit janë përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve dhe janë të obliguar me ligj që të ndërmarrin të gjitha masat e arsyeshme për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe mirëqenjen e punëmarrësve. Kjo nënkupton se të gjithë punëdhënësit duhet të sigurohen që i kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të mbrojtur shëndetin e stafit, përfshirë këtu lirimin nga puna me pagesë për personat të caktuar, pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse për ata punëtorë që vazhdojnë të paraqiten në punë, etj. Në të kundërt, punëdhënës që për shembull detyrojnë punonjësit që të paraqiten në punë përkundër urdhërit për të ndenjur në shtëpiekspozohen ndaj procedurave ligjore që mund të rezultojnë me një sërë dënimesh si pasojë e mos-zbatimit të masave parandaluese dhe shkeljes së  detyrimeve që rrjedhin p.sh. nga Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Covid-19 nuk është kot në krye të lajmeve, diskutimeve dhe vendimeve botërore. Në kohën kur Qeveria merr masa për parandalimin dhe kontrollimin e situatës, organet e rendit dhe e shëndetësisë qëndrojnë palodhshëm në frontin e punës, është e udhës që si individë të jemi gjithashtu të informuar për detyrimet dhe pasojat ligjore që na prekin nga përhapja globale e Covid-19. Për aq sa na takon, secili prej nesh duhet të kujdesemi dhe të minizojmë pasojat negative që përhapja e këtij virusi të frikshëm po lë tashmë edhe në raporte juridike.

*Fëllënza Limani ka përfunduar studimet Master për drejtësi (Master of Laws LLM) në Universitetin e Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar  dhe studimet Bachelor për drejtësi (Bachelor of Laws LLB) në Universitetin Kingston në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht punon si eskperte e jashtme ligjore në Ministrinë e Drejtësisë me fokus të veçantë Avokaturën Shtetërore dhe arbitrazhin ndërkombëtar.