Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka thënë se shpreson që të mos jetë e vërtetë njoftimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për një marrëveshje në parim për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe një konsullate shqiptare në Bujanoc.
Bushati e ka cilësuar një vendim të tillë si të gabuar si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik për Shqipërinë.
“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i Jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë”, shkroi Bushati në Facebook.
Sipas tij, në planin strategjik, një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik dhe as peshën e pakicës serbe në atë zonë.
“Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë dhe vendos padrejtësisht shenjë barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, theksoi ai.
Bushati shtoi se një vendim i tillë do të ishte i gabuar edhe në planin taktik, duke argumentuar se retorika e zyrtarëve të lartë serbë ndaj Kosovës është aktualisht në nivele të larta tensioni.
“Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, u shpreh Bushati.
Ministri serb Gjuriq gjatë një interviste për “Radio Beogradin” dje bëri të ditur se kanë arritur dakordim me homologun nga Shqipëria, Ferit Hoxha, për hapjen e konsullatave në Shkodër respektivisht në Bujanoc.