Burri që kujdeset për macet e harruara të Fukushimës radioaktive - Gazeta Express
string(64) "burri-qe-kujdeset-per-macet-e-harruara-te-fukushimes-radioaktive"

Burri që kujdeset për macet e harruara të Fukushimës radioaktive

Lajme

Gazeta Express

04/03/2021 10:18

Një dekadë më parë, Sakae Kato qëndroi për t’i shpëtuar macet e braktisura nga fqinjët që ikën nga retë radioaktive që dilnin nga centrali bërthamor në Fukushima. Ai nuk e ka ndër mend të largohet.

“Dëshiroj të sigurohem që jam këtu për t’u kujdesuar edhe për të fundit (mace)”, thotë ai nga shtëpia në zonën e kontaminuar. “Pas kësaj dua të vdes, qoftë një ditë apo një orë më vonë”, shton Kato.

Lexo Edhe:

Deri më tani, ai ka varrosur 23 mace në oborrin e vet. Sidoqoftë, varret e tyre i kanë dëmtuar disa derra të egër, të cilët po enden vërdallë. Ai po përkujdeset për 4 mace në shtëpinë e vet dhe në një ndërtesë tjetër boshe.

Foto: Reuters

Kato lë ushqim për macet në një hangar që e ngroh me gaz. Ai gjithashtu ka shpëtuar një qen, të quajtur Poçi. Pasi nuk ka ujë me ujësjellës, detyrohet që të furnizohet nga një burim uji në mal, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Dikur pronar i një kompanie të vogël ndërtimore, burri 57-vjeçar thotë se u nxit pjesërisht për ta marrë vendimin për të qëndruar në vendin prej të cilit ikën 160.000 të tjerë pasi u shokua kur pa kafshë shtëpiake të ngordhura në shtëpitë e braktisura.

Foto: Reuters

“Nuk dua të largohem, më pëlqen të jetoj në këto male”, thotë ai, përderisa qëndron përballë shtëpisë, të cilën ka të drejtë ta vizitojë, por jo të fle në të.

Ai thotë se shpenzon 7.000 dollarë në muaj për kafshët që i ushqen. Një pjesë të parave e shpenzon për ushqimin për qen dhe derra të egër, të cilët mblidhen afër shtëpisë së tij në mbrëmje.

Muajin e kaluar, ai u arrestua nën dyshimin se i ka liruar derrat e egër që kishin rënë në kurthat e vendosura nga qeveria japoneze në nëntor./Përktheu: Nasuf Abdyli