Burg me kusht për nënën dhe dy të bijat që iu bashkuan ISIS-it - Gazeta Express
string(62) "burg-me-kusht-per-nenen-dhe-dy-te-bijat-qe-iu-bashkuan-isis-it"

Gazeta Express

17/01/2020 14:03

Burg me kusht për nënën dhe dy të bijat që iu bashkuan ISIS-it

Gazeta Express

17/01/2020 14:03

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, i ka dënuar me nga dy vjet burgim, nënën Shyhrete Tafaj dhe dy vajzat e saj, Meke Tafaj, Valdete Tafaj-Daçaj, të cilat e kishin pranuar fajësinë për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama, dënim me burg ndaj tyre, nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej tre vjetësh ato nuk kryejnë ndonjë vepër të re penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Gjykatësja Shabani-Rama ka theksuar se në rast se të akuzuarat kryejnë vepër penale të re, dënimi me kusht do t’u zëvendësohet me burg efektiv, ku do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Po ashtu, të akuzuarat janë urdhëruar nga gjykata që të përmbushin detyrimin vizitë tek psikologu apo tek këshilluesi tjetër dhe të veprojnë në pajtim me rekomandimet e tyre, në kohëzgjatje prej dy vjetësh nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues të Kosovës.

Ndërkohë, të akuzuarat janë liruar në tërësi nga shpenzimet e procedurës për shkak se në të kundërtën do të rrezikohej gjendja e tyre materiale dhe e familjarëve të tyre pasi që të njëjtat janë mbajtëse të familjes.

Ndërsa, gjykatësja Shabani – Rama ka deklaruar se me rastin e shqiptimit të dënimin gjykata ka vepruar sipas dispozitave për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, pasi që ka marrë si rrethanë posaçërisht lehtësuese pranimin e fajësisë, sjelljen e tyre para dhe pas kryerjes së veprës penale dhe pendimin e tyre.

Gjithashtu, gjykata ka njoftuar se të njëjtat kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 dhjetor 2019, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Meke Tafaj, Valdete Tafaj-Daçaj dhe Shyhrete Tafaj, akuzohen se me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Siç thuhet në aktakuzë, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës, Meke Tafaj, i akuzuari Ramiz Kastrati kishte qenë në Siri dhe ishte kthyer për një kohë të shkurtër, e gjithë familja ka vendosur t’i bashkohet luftës në “Shtetin Islamik”.

Sipas aktakuzës, Valdete Tafaj-Daçaj, me bashkëshortin e saj, Kujtim Daçaj dhe vajzën e vogël, më 5 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë shkuar në Shkup, nga ku kanë udhëtuar fillimisht në Turqi, e më pas në Siri.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Shyhrete Tafaj, nëna e dy të akuzuarave Valdete dhe Meke Tafaj, më 21 shtator 2015, së bashku me dy djem të saj, përmes aeroportit të Prishtinës kanë shkuar në Turqi dhe pastaj Siri.

Sipas aktakuzës, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga ISIS-i, u kanë ofruar shërbime logjistike meshkujve të familjes, të cilët aktivisht kanë luftuar, derisa ISIS ka pësuar disfatë dhe kanë qenë të detyruar të dorëzohen tek forcat kurdë, e që më pas me ndihmën e ushtrisë amerikane, janë kthyer në Kosovë, më 24 maj 2019.

Me këtë, secila veç e veç, ngarkohen me veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.