Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sot u ngarkua edhe me ushtrimin e detyrës së presidentes pasi sot i përfundoi mandati pesëvjeçar presidentes Vjosa Osmani.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës në Presidencën e Kosovës, Osmani ia la porositë bashkë me dosjet pasueses së saj dhe i tha që ta kontaktojë sa herë të ketë nevojë edhe pas kësaj dite.
Në këtë fjalim të shkurtë e ceremonial, Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje theu heshtjen e partisë së saj në raport me Osmanin, për përfundimin e mandatit të së cilës s’pati asnjë koment nga ky subjekt.
Ajo pati fjalë të mira për punën dhe mundin e saj për pesë vjet në krye të shtetit dhe tha se do të ketë edhe raste të tjera të bashkëpunimit derisa përmendi raportin e tyre kur ishin deputete të Kuvendit.
“Faleminderit shumë për gjithë punën dhe angazhimin pesëvjeçar që e ke bërë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sigurisht që për Kosovën është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të kenë njerëz që kanë integritet të lartë profesional e moral dhe që secilin vendim që e marrin e kanë parasysh shtetin dhe qytetarët”, i tha Haxhiu gjatë ceremonisë.
Haxhiu i uroi suksese Osmanit në angazhimin e saj të radhës “kudo” që Osmani ka vendosur.
“Jam e bindur që do të kemi raste e momente të tjera të bashkëpunimit. Unë jam shumë e hapur që të vazhdojmë bashkëpunimin me ju. Të uroj shumë suksese në angazhimin tënd kudo që ju keni vendosur që ta bëni atë. Sigurisht që do t’ju kontaktojmë, ndoshta nuk do t’ju ngarkojmë shumë, por përgjegjësitë e presidentit/presidentes, dosjet që po i shoh këtu para vetes, e kam parasysh që puna nuk është shumë e lehtë, por me një përkushtim maksimal timin, të kabinetit tim, si dhe administratës së këtij institucioni”.
“Faleminderit për punën, mundin dhe natyrisht që do të vazhdojmë sërish bashkëpunimin”.
Osmani kishte shprehur ambiciet e saj për të vazhduar edhe një mandat, por Lëvizja Vetëvendosje, me të cilën kishte garuar më 2021, nuk e kandidoi në Kuvendin e Kosovës./Express/