Nëse procesi bazohet në sistemin meritor, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit meritojnë të bëhen anëtare të plota të Bashkimit Evropian, beson Zholt Bunfort, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Ai thekson se vendi padrejtësisht tashmë 20 vjet “qëndron në rrethojë” dhe se është e nevojshme që procesi i anëtarësimit në BE të përshpejtohet.
Bunfort, i cili sot pati një takim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me nënkryetarin e parlamentit, Antonio Milloshoski, tha se në takimi u diskutuan disa çështje lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian
“Diskutuan për shumë çështje lidhur me procesin e anëtarësimit në BE. Sigurisht, kemi dëgjuar shumë ide, si ajo për integrim gradual ose status të garantuar të vendit anëtar, pa të drejtë vote… Ajo që është e rëndësishme është të shihet se vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, duhet të bëhen anëtare të plota të BE-së. Kjo është gjithçka që mund të them për momentin. Për ne do të ishte shumë e rëndësishme që ky proces të përshpejtohet dhe t’u jepet vendeve mundësia të bëhen anëtare të BE-së. Nëse bëhet fjalë për qasje të bazuar në merita, mendoj se Maqedonia e Veriut dhe rajoni e meritojnë anëtarësimin e plotë”, tha Bunfort duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit.
Sipas tij, Hungaria dhe Maqedonia e Veriut ruajnë marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera dhe, siç theksoi, kjo është më shumë se partneritet, kjo është diçka që bazohet në interesa dhe besim të përbashkët.
“Ne kemi interes të fortë për të rritur praninë tonë në fushën ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Diskutuam për projekte konkrete, biseduam për çështje me interes të përbashkët. Gjithashtu, shprehëm mbështetje të plotë për Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së. Ne mendojmë se është një parodi që Maqedonia e Veriut “qëndron në rrethojë” për më shumë se njëzet vjet. Tani po përpiqemi të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të përshpejtuar këtë proces. Diskutuam gjithashtu për çështje rajonale. Jemi të interesuar për stabilitetin e rajonit, i cili për ne ka rëndësi të madhe”, tha përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i kryeministrit të Hungarisë.
Nënkryetari i Kuvendit, Milloshoski, ndan qëndrimin e Bunfortit se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer, por edhe se ka interes dhe aktivitete të rritura tashmë për një bashkëpunim më të madh ekonomik.
“Marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel të shkëlqyer, në kuptimin politik të fjalës, por gjithashtu ajo që është inkurajuese është se lidhur me investimet e mundshme, projektet e përbashkëta dhe rritjen e bashkëpunimit tregtar, gjithashtu ekzistojnë projekte konkrete që tashmë janë në proces realizimi, dhe mendoj se kjo do të forcojë lidhjet tregtare dhe ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë”, tha Milloshoski.
tag_katrorimaqedoni_2