Ushtria gjermane, Bundeswehr, nisi dërgimin me postë të pyetësorëve të parë për sistemin e ri të rekrutimit ushtarak, konfirmoi një zëdhënës i Bundeswehrit për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (dpa). Pyetësorin e rekrutimit do ta marrin tani të gjithë meshkujt dhe femrat që mbushin moshën 18 vjeç. Ky është hapi i parë për të vlerësuar aftësinë si dhe motivimin e tyre për shërbimin ushtarak.
Sipas kushtetutës gjermane shërbimi ushtarak është i detyrueshëm vetëm për meshkujt, prandaj ata janë të detyruar ta plotësojnë formularin e pyetësorit. Për gratë shërbimi ushtarak është vullnetar, prandaj ato mund t’i plotësojnë formularët vetëm nëse dëshirojnë. Plotësimi i pyetësorit bëhet online përmes një kodi QR. Vullnetarët e parë pritet të fillojnë shërbimin ushtarak në muajt në vijim.
“700,000 femra dhe meshkuj të lindur në vitin 2008 ose më vonë do të marrin këto ditë një pyetësor”, njoftuan Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer në një urdhër ditor drejtuar trupave në fillim të vitit. Ligji i ri për rekrutimin e detyruar hyri në fuqi më 1 janar.
Gjermania po i përgjigjet kështu kërcënimitnga Rusiadhe ndryshimeve që rezultojnë në objektivat e NATO-s. Bundeswehri numëron momentalisht 180,000 ushtarë aktivë. Me rekrutimet e reja pritet që atyre t’u shtohen edhe 80,000 vetë në 260.000. Përveç kësaj Bundeswehri synon të ketë edhe 200,000 burra dhe gra si rezervistë.