Bujar Osmani: Ndërhyrja e Kurtit në Maqedoni të Veriut ndikoi në rënien e tij në Kosovë - Gazeta Express
string(86) "bujar-osmani-nderhyrja-e-kurtit-ne-maqedoni-te-veriut-ndikoi-ne-renien-e-tij-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

27/06/2025 7:16

Bujar Osmani: Ndërhyrja e Kurtit në Maqedoni të Veriut ndikoi në rënien e tij në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

27/06/2025 7:16

Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i ka cilësuar të dëmshme deklarimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se intervenimi i Kurtit te partitë shqiptare në Maqedoni e ka krijuar “një qeveri që s’është në vijë me interesat tona”.

Osmani ka shtuar se deklarimet e Kurtit ndaj Maqedonisë së Veriut bënë që të binte përkrahja për të në Kosovë.

“…Kam informacione që ky intervenim i kryeministrit ka reflektuar te votuesit e Kosovës ndaj kryeministrit. Besoj se ka qenë mesazh se nuk është mirë të ndërhyhet. Në bazë të disa matjeve, një prej faktorëve që kanë ndikuar ka qenë edhe ndërhyrja…Populli i Kosovës kur vjen në Shkup e ndien atmosferën e barazisë”, ka thënë ai

Politikani shqiptar në Maqedoni të Veriut ka deklaruar se Prishtina e Tirana zyrtare s’duhet të punojnë për përçarjen e shqiptarëve pasi tha se “me këtë po punoni kundër interesave të shqiptarëve”.

“Ne s’kemi dalë si parti ndaj kryeministrit, në një moment kur kemi vlerësuar se është bërë dëm për deklarimin se ‘gjuha shqipe asnjëherë s’ka qenë gjuhë zyrtare’. Në Shkup kjo është vlerësuar si alibi…Ajo na ka prekur sepse na prekur në diçka që kanë derdhur gjak shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës. Shqipëria dhe Kosova duhet të kuptojnë rolin e tyre për të ndihmuar shqiptarët në Maqedoni të Veriut”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, me qeverisjen aktuale në Maqedoni të Veriut, shqiptarëve po iu vështirësohet jetesa dhe gjuha shqipe po rrënohet.

“Në Maqedoni të Veriut kemi proces të revizionizmit politik, duke tentuar që me një agresion politik të rrënohet statusi i shtetformimit të Maqedonisë…Ka mungesë vullneti politik për të respektuar përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë. Sistemi i drejtësisë është pastruar nga shqiptarët…Secili drejtor që nuk është shqiptar bën punësime, 30 me 0…Kemi rënie të dukshme të përfaqësimit shqiptar. Po rrënohet gjuha shqipe”, ka theksuar ai.