Nesër do të mbahet ceremonia mortore për nder të jetës dhe veprës së ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi, një ndër figurat më të rëndësishme të historisë politike dhe shtetformuese të vendit.
Agjenda e ditës do të nis në ora 09:00, me mbledhjen komemorative që do të mbahet në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës, ku familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore do ta kujtojnë jetën, kontributin dhe trashëgiminë politike të Dr. Bukoshit.
Nga ora 10:00 deri në 13:00, do të bëhen homazhe në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej themeluesve të strukturave shtetërore gjatë viteve të vështira për Kosovën.
Më pas, në ora 13:30, do të bëhet nisja nga Kuvendi i Kosovës për në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Velani, ku në ora 14:00 do të mbahet ceremonia e varrimit.
Dr. Bujar Bukoshi, i cili shërbeu si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil do të kujtohet si njëri nga arkitektët e pavarësisë dhe një zë i fuqishëm në përpjekjet për liri dhe demokraci.