Bujar Balliu/ Përballë NOBELIT - Gazeta Express
string(29) "bujar-balliu-perballe-nobelit"

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 13:29

Bujar Balliu/ Përballë NOBELIT

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 13:29

Dita e dhënies së Çmimit Nobel po afron. Meditimet rreth tij dhe autorëve që mund ta marrin, e kanë marrë, apo nuk i gëzuan frytet e tij, janë të pashmashmangshme për eksploruesit në krijimet më të mira letrare. Medalja e Letërsisë e konceptuar dhe skalitur nga skulptori suedez Erik Lindberg, paraqet një të ri nën degët e dafinës, duke dëgjuar këngën e Muzës, shkruar nga vetë ai. Në të janë fjalët e Virgjilit: “Krijimet përmirësojnë jetën që zbukurohet nga arti.”

Medalja lidh kështu lashtësinë me të sotmen letrare. Nobel është shumë i madh dhe ti duhet të jesh idiot të pretendosh ta fitosh. (Svetlana Aleksejeviç)

Lexo Edhe:

I madh për renditjen, vlerësimin dhe motivimin e fuqive estetike botërore.

I madh për impaktin e krijuar nga raporti mes fituesve dhe të mëdhenjve, mbetur jashtë këtij vlerësimi. Përballë emrave të nobelistëve qëndron lista e të shquarve të palauruar: Tolstoi, Xhojsi, Çehov, Ibsen, Borhes, Buxati etj. Ngjan se të famshmit e kanë vështirë t’i përshtaten kufizimit të nderimeve.

I madh për frymën e debatit. Të shumtët janë shoqëruar me kritika të natyrave të ndryshme. Dhe kur askush nuk e kundërshtoi vlerësimin e Sartitrit, debati u ndez pasi ai nuk e pranoi.

Të gjitha nderimet që shkrimtari mund të marrë, janë një lloj presioni për lexuesit e tij, që unë nuk e konsideroj të dëshirueshëm. Nuk është e njëjta gjë nëse unë nënshkruaj Jean Paul Sartre, apo nëse nënshkruaj Jean Paul Sartre Nobelisti. (Sartri).

I madh për shpërblimin monetar, edhe pse shpesh ka ndodhur të jepet në fundin e jetës aq sa Gabriel Garcia Markez u shpreh se po more Nobelin e ke vdekjen në prag. Ai vetë shënoi rekord: jetoi 32 vjet pas marrjes së çmimit “ogurzi”.

I madh për fshehtësinë e pamundësinë e parashikimit të fituesit.

Thjesht i madh.

Po ja, Tolstoi edhe më i madh, u shkruan kolegëve suedezë:

Jam ndier shumë i kënaqur që nuk m’u dha Çmimi Nobel. E para, të pasurit e kësaj shume, do të më krijonte mjaft ngatërresa, para që sipas mendimit tim do të më sillnin vetëm të këqija, ngatërresa dhe e dyta, jam ndier i nderuar dhe i kënaqur pa masë, të shoh shprehjen e një simpatie kaq të madhe të figurave të rëndësishme dhe po ashtu të atyre që nuk i njoh fare.

Edhe të përzgjedhurit, edhe të mënjanuarit e mëdhenj janë dalluar nga virtyti rraskapitës për të qenë shkrimtar, virtyt që i veçon prej të tjerëve dhe i bën shpesh dyshues në gjithçka, edhe te Nobeli.

Unë mund ta fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje të shpikte çmimin “Nobel”. (Xh. B. Shou)

Nobelistët kanë bujtur herët në letrat shqipe. Syli Prudomin e solli Noli me poezinë “Shtamba e thyer”. “Quo vadis?” të Henrik Sinkieviç, at Vinçens Prenushi e botoi në çdo numër të revistës “Hylli i dritës” në vitet 1932-1935.

Në vitet 45-90 të shekullit të kaluar disa vepra u botuan të censuruara.

Nga 117 laureatë të Nobelit, të papërkthyer në shqip janë 14 autorë; vetëm me botime në shtypin letrar, apo në antologji të ndryshme 15; me 1 vepër-18; me 2-9; me 3-11; me 4-14; me 5-10; me 6-6;me 7-5; me 8-3; me 9-2; me 10-2;me 11-1; me 12-1; me 14-1; me 15-1. Nobelistët më të përkthyer në gjuhën tonë janë : Luixhi Pirandelo me 21 vepra; Albert Kamy, Zhan Pol Sartër dhe Gabriel Garcia Markez me nga 20. Biblioteka e Nobelit ka në shqip mbi 430 libra.

Përkthimet vazhdojnë sot e gjithë ditën.

Është bërë e udhës: me shpalljen e fituesit të shpërthejnë prurjet në shqip, por disa autorë lexuesi i ka shijuar në shqip para se ta fitonin Nobelin, si Shollohov, Llosa, Transtromer, Monro, Bob Dilan, Ishiguro, Tokarçuk etj.

Ndërsa meritën për propozimin e autorëve shqiptarë për çmimin “Nobel” e kanë të huajt. “Lahuta e Malcis” e përkthyer në gjermanisht, nxiti gjermanët të propozojnë në vitin 1937 Gjergj Fishtën për trofeun botëror.

Njohja e lexuesit francez me letërsinë e Ismail Kadaresë, u shoqërua në vitin 1992 me kërkesën e Akademisë Franceze për t’i akorduar Çmimin Nobel shkrimtarit tonë. Debati mori të tilla përmasa sa Gunter Gras reagoi:

Zoti ambasador, mua më treguan se ju, d.m.th. shteti juaj, ka kundërshtuar dhënien e Çmimit Nobel për Ismail Kadarenë… Unë nuk e di se si, por nuk kanë qenë dakord… apo diçka e tillë… më kupton… nuk kanë dashur që të marrë këtë çmim… Unë nuk dua ta besoj këtë… E dini pse? Sepse shtetet punojnë shumë, me të gjitha mënyrat, për të mbështetur kandidatët e tyre, në një fushë apo tjetër… Më thuaj tani, zoti ambasador, a mundet një shtet ta bëjë këtë?…

Më pas Akademia Shkencave të Shqipërisë i drejton kërkesë zyrtare Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë për t’i dhënë çmimin e madh Kadaresë.

I nominuar për më shumë se një çerek shekulli, shpesh në rrethin e ngushtë të laureatëve, Kadareja ynë e ka marrë pjesë-pjesë çmimin, duke tejkaluar jo pak nobelistë që janë harruar porsa e kanë fituar trofeun e madh.

Kadareja duket se është ngopur me lavdinë.

Nobeli u duhet shqiptarëve./Hejza