Në një moment të ndjeshëm politik, kur Kosova rrezikonte të hynte në një spirale të re pasigurie institucionale, Gjykata Kushtetuese nxori një vendim që riktheu balancën formale kushtetuese, por jo domosdoshmërisht edhe zgjidhjen politike.
Rrëzimi i dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, shihet nga njohësit e fushës si një veprim që stabilizon në njëfarë mase institucionet, por lë të hapur krizën politike.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese konstatoi se dekreti i presidentes “nuk ka efekt juridik” dhe i dha Kuvendit një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit – në të kundërtën, Kuvendi do të shpërndahet.
Presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi përmes tri rundeve votimi që kërkojnë kuorum dhe shumicë të caktuar, duke e bërë procesin kryesisht të varur nga arritja e kompromisit politik ndërmjet partive.
Nëse ky proces dështon brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, vendi shkon në zgjedhje.
Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se Kushtetuesja përdori një gjuhë të kujdesshme dhe të balancuar juridike në këtë rast.
Sipas tij, vendimi karakterizohet nga një ton neutral interpretues, por nuk i shmanget ndikimit të kontekstit aktual politik.
“Interpretimi kushtetues dhe juridik i këtij dekreti është bërë kryesisht në kontekstin e ngërçit politik aktual. Gjykata e ka një paragraf ku thotë se interpretimi i dispozitave kushtetuese lidhet me rrethanat politike në vend, dhe kjo përbën një nga dobësitë e aktgjykimit”, thekson Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se vendimi, megjithatë, u jep institucioneve mundësi shtesë për të përmbushur detyrimet kushtetuese, përkatësisht për të bërë përpjekje të reja drejt zgjedhjes së presidentit.
Në të njëjtën linjë, por me një ton më kritik, analisti Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e konsideron vendimin e Kushtetueses si një vlerësim neutral, por jo domosdoshmërisht profesional.
Sipas tij, Gjykata ka marrë parasysh edhe rrethanat politike, duke shkuar “përtej interpretimit të ftohtë profesional të Kushtetutës”.
“Sigurisht që dikujt i ka krijuar disa avantazhe, dikujt tjetër më pak. Por, ka qenë një përpjekje që ‘edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet’”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Kush përfiton nga vendimi?
Sipas Bugaqkut, përfitues kryesorë janë vetë institucionet dhe rendi kushtetues.
“Fitues realë janë institucionet – Kushtetuta dhe Kuvendi. Gjykata e riktheu në binarë kushtetutshmërinë e mandatit të Kuvendit dhe legjitimitetin e përfaqësuesve të qytetarëve, duke konstatuar se dekreti nuk prodhon asnjë efekt juridik”, thotë ai.
Paçarizi, nga ana tjetër, vëren se në opinion ekziston perceptimi se vendimi i ka krijuar avantazhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ai nuk sheh përfitime konkrete politike për këtë subjekt, përveç mundësisë për të ndërtuar një narrativ politik.
“Reagimet e Vetëvendosjes u fokusuan te rrëzimi i dekretit të presidentes, jo te gjetja e një zgjidhjeje për krizën. Askush, as nga pushteti e as nga opozita, nuk foli për krijimin e kushteve për të shmangur zgjedhjet”, thekson ai.
Pa fitues real, drejt zgjedhjeve?
Pavarësisht efektit stabilizues në planin institucional, analistët vlerësojnë se vendimi nuk ka prodhuar zgjidhje politike.
Paçarizi thekson se mungesa e vullnetit politik për konsensus mes partive e bën të pamundur që ky vendim të shërbejë si pikë kthese.
“Nuk ka një fitues real”, thotë ai, “vendimi nuk krijon kushte për konsolidimin e vullnetit politik për zgjedhjen e presidentit”.
Sipas Paçarizit, vendi tashmë duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendimi i Kushtetueses mund të përdoret nga partitë vetëm si instrument në fushatat e tyre.
“Përfitimi i vetëm është mundësia që secila palë të shfrytëzojë elemente të aktgjykimit për të ndërtuar narrativët e vet parazgjedhorë”, shton ai, duke mbetur skeptik për mundësinë që brenda afatit 34-ditor të ndryshojë dinamika politike.
“Duket se të gjitha partive politike u pëlqen shkuarja në zgjedhje”, thotë Paçarizi.
Reagimet e partive: Përgjegjësia mbetet te konsensusi politik
Situata e krijuar pas vendimit të Kushtetueses nxiti reagime të ndryshme nga përfaqësuesit e partive politike në Kosovë.
Arbërie Nagavci, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, tha se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Bedri Hamza, tha para mbledhjes së Kryesisë së partisë të enjten, se pas vendimit të Kushtetueses nuk kishte marrë ndonjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit mbetet te shumica parlamentare, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje.
Ai shtoi se asgjë nuk mund të zgjidhet me imponim, por vetëm “me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese” dhe nëse kjo mungon brenda afatit 34-ditor, LDK-ja “do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëroi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë “për të diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Aleancës lidhur me situatën e krijuar” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas vendimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën, më 30 mars.
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...