Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Vullnet Bugaqku, tha se opsionet për konstituimin e Kuvendit janë kushtetuese. Sipas tij, fillimisht grupi më i madh parlamentar LVV-ja të cilës i takon të propozoj kandidatin për kryeparlamentar duhet të ulët për të biseduar me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensus apo një kandidaturë të përshtatshme për kryeparlamentar që të merrte së paku 61 vota.
‘’Subjekti më i madh parlamentar LVV-ja duhet të bëjë përpjekje të mjaftueshme që të arrijë kompromis apo konsensus në mirëbesim që të propozohet një kandidaturë që do t’i merrte votat e 61 deputetëve. Ne si KDI i bëjmë thirrje të deputetëve të grupeve parlamentare që ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Idealja është që së paku brenda afatit 30 ditor mund të kemi konstituim të Kuvendit dhe rrjedhimisht të hapet rruga edhe për formimin e Qeverisë sepse ka muaj të tërë që ne jemi në krizë apo në bllokadë politike’’, tha Bugaqku për rtv21.