E gjithë ngutia për të bërë shou publik është rrjedhojë e mungesës së gatishmërisë për të pritur, e mungesës së edukimit në tolerancë, e mosdurimit të sferës private, anonimitetit, vetmisë, reflektimit
Arben Idrizi
Budallallëku është shou publik. I përket vetëm sferës publike, rrjedhimisht është në armiqësi zakonisht të egër me sferën private. Tutje, është vetëbesim dhe vetëkënaqësi, madje deliruese. Është pretendim në shkallën më të çuditshme i urtësisë, andaj ka gjithë atë fuqi dhe vullnet për t’u manifestuar dhe imponuar dhunshëm.
Natyrisht, ka edhe virtyte që manifestohen publikisht, por ato zakonisht janë ose manifestime aksidentale, momentale, ose pas një rezultati tashmë të dalë në dritë. Ato i përkasin sferës private dhe tentojnë përherë të mbajnë veten sa më nën hije. Nuk e kanë pretendimin as ngutinë për t’u bërë të njohura. Herëdokur do të bëhen të njohura. Prandaj mund të presin.
***
«Të presësh është të mendosh dhe të mendosh thellë është, bukur shpesh, të ndryshosh mendje», thotë Salman Rushdie në librin e tij të fundit (Knife – Mediations After an Attempted Murder, Random Hause, 2024), duke reflektuar mbi atë se çfarë do ta ketë shtyrë një të ri fanatik ta manifestojnë injorancën, mosdurimin fetar a thjesht kafshërinë e tij publikisht, në atë tentativë për ta vrarë.
***
Shou publik është po ashtu të shkosh si kryeministër në një shkollë fillore me pretendimin të zgjidhësh një detyrë matematikore elementare, nën objektivët e kamerave dhe telefonëve, i shurdhuar nga duartrokitjet e vartësve (s’do të përdorim epitete, mjaftojnë ofiqet) dhe ta huqësh.
Shou publik është të pretendosh ta hapësh një urë duke e ditur që nuk lejohet dhe që, në fund të fundit, hapja e dhunshme e së cilës, në vend se të realizonte qëllimin e saj gjoja simbolik, në të vërtetë prodhon efektin e kundërt praktik, tmerrësisht të dëmshëm për vendin.
Shou publik është është të shkosh në liqe nën mbrojtjen e njesive policore speciale të fotografohesh, madje duke i rekrutuar për këtë edhe militantët partiakë.
Shou publik është të përbuzësh atë që është shtrirë në tokë, kur vetë je në këmbë i mbështetur në patericat e popullizmit, nacionalizmit dhe fashizmit.
Shou publik është të thirresh në aleanca dhe bashkëpunime ndërkohë që rrëmih dheun pas shpine.
Shou publik është të mbikapësh shtetin e kapur.
Shou publik është të flasësh për paqe nga kazerma.
Shou publik është të ftosh në Kuvendin e shtetit multietnik këngëtarë etnikë nacionalistë, luftënxitës dhe përhapës të urrejtjes ndëretnike.
Shou publik është të përdorësh televizionin shtetëror për të sulmuar mediat e pavarura.
Shou publik është të mohosh historinë për të pretenduar se ajo nis me ty.
Shou publik është të urresh, të përbuzësh, të përjashtosh.
Shou publik është të mohosh dhe të mos japësh, kur e ke në dorë, edhe më shumë se sa që përket.
Shou publik është të bësh, nga bataku i viktimës, atë që të kanë bërë.
Shou publik është të tregosh forcën që të kanë dhënë dhe ta durojnë derisa s’e kanë parë çfarë po bën.
***
Sa duket pra, e gjithë ngutia për të bërë shou publik është rrjedhojë e mungesës së gatishmërisë për të pritur, e mungesës së edukimit në tolerancë, e mosdurimit të sferës private, anonimitetit, vetmisë, reflektimit. Do të thotë pastaj pra edhe e mendimit të thellë. Nga i cili do të kalohej, po doli nevoja, edhe te ndryshimi, i cili mund të rezultojë fundamental (po deshët edhe fatbardhë dhe faqebardhë). Gjithsesi, gjendja e natyrshme e njeriut është ndryshimi. Së pari ndryshimi të cilit i nënshtrohemi si çdo qenie e gjallë, pastaj ndryshimi i cili na përket vetëm ne si qenie njerëzore: kalimi nga terri në dritë, nga mosdija në dije.
***
E megjithatë, «Të dish vetëm atë që është e ditur është tragjedi», thuhet në librin e Chuang Tzu-së.
Po atëherë të mos dish madje as atë që është e ditur, çfarë është? Të mos dish bile as atë që është më elementarja, më e kapshmja, më universalja? Jo cili planet rreth cilit sillet, po atë se, për shembull, nuk mund të prentendosh të jesh i respektuar nga tjetri nëse ti vetë në të njëjtën kohë nuk e respekton atë; se nuk mund të jesh nën kujdesin e dikujt më të madh se ti nëse në të njëjtën kohë nuk tregon kujdes për dikë më të vogël se ti; se nuk mund të kenë dashuri për ty që urren; se nuk hapen kufij për ty që i mbyll ato; se nuk ecet mbi urën që e ke minuar?