Bucks e çojnë 2-0 serinë ndaj Heats, Nuggets barazojnë Blazers - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

25/05/2021 10:55

Bucks e çojnë 2-0 serinë ndaj Heats, Nuggets barazojnë Blazers

Sport

Gazeta Express

25/05/2021 10:55

U luajtën dy përballjet e radhës të raundit të parë të fazës play off në NBA dhe të dyja kishin histori të ndryshme.

Milwaukee Bucks mposhtën 132-98 Miami Heat, duke e thelluar në 2-0 rezultatin e serisë. Një ndeshje që u dominua krejtësisht nga skuadra nga Wisconsin, gjashtë basketbollistë të së cilës arritën numër dyshifror pikësh. Sigurisht më i miri ishte gjiganti grek, Giannis Antetokounmpo, me 31 pikë dhe 13 “rebound”, i ndjekur nga Bryn Forbes me 22 pikë dhe Khris Middleton që u mjaftua me 17 pikë. Për t’u veçuar gjithashtu 11 pikë dhe 15 asistet e Jrue Holiday. Në radhët e skuadrës nga Florida realizoi 19 pikë Dewayne Dedmon, ndërsa Groan Dragic nuk mundi të jepte kontribut më të madh, duke u mjaftuar me 18 pikë.

Nëse Bucks thelluan epërsinë ndaj Heat, ndodhi e kundërta në duelin Denver Nuggets- Portland Trail Blazers. Skuadra nga Colorado triumfoi në shifrat 128-109, duke barazuar serinë 1-1. I papërmbajtshëm me 38 pikë Nikola Jokic, por duhet theksuar që kontribut të çmuar në këtë sukses të Nuggets dha lojtari i pankinës, Paul Millsap, autor i 15 pikëve, ndërsa Aaron Gordon shtoi 13 pikë të tjera.

Spikati në radhët e Blazers dyshja Lillard-CJ McCollum me 63 pikë në total, por dy “yjet” e skuadrës nga Oregoni ishin si ishull i vetmuar, pasi nuk morën mbështetjen e duhur nga pjesa tjetër e ekipit. 42 pikë dhe 10 asiste, ishin këto shifrat e Lillard, ndërsa CJ McCollum kontribuoi me gjysmën e pikëve të realizuara nga shoku i tij i skuadrës. /SS/