Banka e Shqipërisë po zhvillon një proces modernizimi të sistemeve të pagesave AIPS, AIPS EURO dhe AECH, duke reflektuar risitë teknologjike dhe nevojën për përmirësim të kuadrit rregullativ që mbështet funksionimin e tyre.
Rishikimet synojnë jo vetëm sigurimin e funksionimit efikas të sistemeve, por edhe përparimin drejt objektivave të politikave për rritjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe përfshirjes financiare.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka ulur ndjeshëm kostot e pagesave për qytetarët dhe bizneset, duke inkurajuar përdorimin e kanaleve elektronike.
Sipas BSH-së më konkretisht pagesat elektronike deri në 40,000 lekë do të jenë pa komision për qytetarët, për pagesat elektronike në shumën deri në 10 milionë lekë, komisionet janë ulur gati me 10 herë, duke e bërë më të leverdishëm përdorimin e sistemit AECH.
Për pagesat në euro, komisionet minimale dhe përqindjet e aplikueshme janë ulur gjithashtu rreth 10 herë, duke ofruar kushte ndjeshëm më të favorshme për pagesat në euro brenda vendit, por duket krijuar dhe trajektoren e komisioneve të aplikuara në transfertat ndërkufitare SEPA.
Këto ndryshime vlerësohet se do t’u kursejnë qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare përafërsisht 40 milionë euro në vit dhe njëkohësisht krijojnë bazën e nevojshme për integrimin e mëtejshëm të vendit në SEPA dhe për implementimin e projektit TIPS Clone për pagesat e shpejta.