Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori sot në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritshme të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75%.
Gjithashtu u vendos të mbetet e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75% si dhe norma e interesit të kredisë njëditore në 3.75%.
Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi disa ndryshime në rregulloret “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” dhe “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.
Sipas BSH-së, këto ndryshime, të cilat shtojnë kërkesat për mbrojtjen e konsumatorëve, vijnë si reagim i Bankës së Shqipërisë me qëllim reduktimin e mëtejshëm të kostove të huamarrjes për kreditë konsumatore dhe rritjen e transparencës ndaj tyre, veçanërisht për subjektet financiare jobanka.
Më konkretisht, ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” konsistojnë në reduktimin e kostove të ngarkuara konsumatorit në kontratat e kredisë konsumatore me këste, kryesisht në vlera të vogla. Ndryshimet rishikojnë metodologjinë e Bankës së Shqipërisë për përllogaritjen e NEI-t maksimal për kategorinë e kredisë konsumatore me këste në fashën 0-200.000 lekë, që pritet të rezultojë në një NEI maksimal më të ulët për këtë kategori. Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve është edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.
Nga ana tjetër, ndryshimet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” synojnë rritjen e transparencës ndaj konsumatorëve që në fazën e reklamimit të produkteve e shërbimeve për këta të fundit, nëpërmjet standardizimit të kërkesave për institucionet financiare, dhe duke dalluar sipas tipologjisë së produktit apo shërbimit që po reklamohet. Ndryshimet konsistojnë në parashikimin e elementeve që duhet të përmbajë reklama, sipas produktit që po reklamohet, formave të komunikimit me konsumatorët, si dhe masave që mund të marrë Banka e Shqipërisë për ndalimin apo korrigjimin e reklamës, nëse konstaton shkelje të rregullores.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...