“Unë mendoj se nuk ka asgjë të re.” Kështu zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, e komentoi deklaratën e djeshme të ambasadores së SHBA-së, Angela Ageler, e cila në një intervistë për TV 21 tha se është “100 përqind e sigurt” se Qeveria po punon për çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Nga ana tjetër, Brukseli është decid, se RMV duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese, transmeton Portalb.mk.
Duke folur për këtë temë në emisionin “Samo Intervju” në TV Kanal 5, Nikolloski theksoi se sa i përket ndryshimeve kushtetuese, qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë: ata nuk pranojnë ndryshime “nën diktatin bullgar” dhe kanë paraqitur publikisht pritshmëritë e tyre.
“Sqaruam qartë qëndrimet tona, nëse lidhen me kontinuitetin historik dhe politik të popullit tonë, me veçantinë e gjuhës maqedonase, apo me tentimet që historia të përdoret si mjet për bllokimin e negociatave. Gjithashtu kemi thënë qartë se Bullgaria nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se kërkojmë zbatimin e tyre. Kërkojmë që Bullgaria të njohë pakicën maqedonase dhe ta përfshijë në Këshillin për Pakicat Kombëtare. Qëndrimet tona janë të njëjta siç ishin edhe kur ishim opozitë”, tha Nikolloski.
Sa i përket zgjidhjes së ngërçit, Nikolloski vlerëson se situata e Ukrainës ka gjeneruar një “optimzëm të ri” për zgjerimin e BE-së dhe se disa shtete të mëdha dhe më të fuqishme të Unionit mund të mbështesin zgjerimin dhe të ushtrojnë presion ndaj Bullgarisë që të mos e bllokojë Maqedoninë e Veriut.
Në të kundërtën, ai tha se nuk sheh vullnet te Sofja për të ndërmarrë një hap pozitiv vetë.
“Të jem shumë i saktë: nuk po flas për Komisionin Evropian, as për Brukselin. Flas për disa nga shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme të BE-së. Vetëm nëse ato bien dakord për zgjerim, mund të ushtrojnë presion ndaj Bullgarisë që të mos na bllokojë. Nga ato që di, shtetet që ishin kundër zgjerimit dy apo tre vite më parë, janë kundër edhe sot, thjesht tani kanë retorikë më të butë për shkak të zhvillimeve në Ukrainë”, tha Nikolloski.
Lidhur me vërejtjen e gazetarit se Shqipëria është futur në “korsi të shpejtë” drejt BE-së dhe se Mali i Zi duket se po përgatitet për marrëveshjen e anëtarësimit, Nikolloski u përgjigj: “Uroj të jetë kështu, do të duartrokisim. Por duhet bërë edhe pyetja e kundërt, çfarë ndodh nëse nuk ndodh kështu?”
Duke e elaboruar qëndrimin e tij, zëvendëskryeministri nënvizoi se rajonit i nevojitet një “qasje e ndershme” nga Bashkimi Evropian.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut ishte përmendur shumë shkurtimisht nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025 të Bashkimit Evropian.
“Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtare për të përparuar në negociata brenda këtij viti, Duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese” tha shkurt Kos.
Ndërkaq, jo më larg se dje ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në vend, Ozlem Canel, tha se Holanda e ndan qëndrimin me Komisionin Evropian se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe zbatimi i reformave të nevojshme në fushat kryesore duhet të përfundojë.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
tag_katrorimaqedoni_2
Tregu shqiptar i real estate ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku projektet me vlerë të qëndrueshme,...