Brukseli dështoi në Shkup - Gazeta Express
string(25) "brukseli-deshtoi-ne-shkup"

OP/ED

Gazeta Express

01/11/2021 16:59

Brukseli dështoi në Shkup

OP/ED

Gazeta Express

01/11/2021 16:59

Nuk ka rast më të mirë se Maqedonia e Veriut për të parë dështimin e BE’së në mospërmbushjen e zotimeve për vendet e rajonit. Zoran Zaev është një viktimë e besimit të verbër në zotimet e Brukselit për avancim në rrugën e integrimit. Andaj nuk ka dështuar vetëm ai dhe partia e tij, por në Shkup ka dështuar edhe Brukseli.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Partia e Zoran Zaevit dështoi në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke bërë që të këndellet e djathta nacionaliste VMRO-DPMNE. Në shenjë përgjegjësie për rezultatin Zaev u dorëhoq nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të LSDM’së. Por, atë që ndodhi këtë fundjavë në shtetin fqinj duhet parë përtej një rezultati zgjedhor. Pesë vjet pasi Nikola Gruevski mezi u hoq nga pushteti, projekti për një Maqedoni europiane mori goditje të rëndë. Jo vetëm për shkak të punës ose mospunës së qeverisë, por në masë të madhe edhe për shkak të neglizhencës dhe pafuqisë së Brukselit.

Kur autokrati i korruptuar Gruevski ra nga pushteti pas një dekade, ditë të mira përmendeshin për Maqedoninë. BE fliste për mundësi përparimi në rrugën drejt anëtarësimit, ndërkohë që fryma proeuropiane në mesin e qytetarëve po rritej. Në këtë atmosferë, Shkupi arriti marrëveshje me Athinën për zhbllokimin e mosmarrëveshjeve rreth emrit, gjë që u konsiderua sukses dhe hap i madh përpara. Njerëzit atje po shihnin një dritë në fund të tunelit pas vitesh të tëra apatie. Por, pesë vjet pas BE nuk ia doli të realizojë atë që u zotua për Maqedoninë. Brukseli nuk i hapi bisdimet për anëtarësim, pavarësisht premtimeve të shumta. Tash problem del të jetë Bullgaria, e cila kundërshton anëtarësimin në BE të shtetit fqinj, por edhe shtete të rëndësishme të Unionit, siç është Franca, kundërshtojnë nisjen e bisedimeve.

Në një situatë të tillë nuk është e habitshme që nacionalistët e VMRO-DPMNE’së të arrijnë sukses në zgjedhje, duke ia marrë Zaevit madje edhe kryeqytetin, Shkupin, nëpërmjet një kandidateje të pavarur.

Nikola Gruevski ndodhet në Hungari, në mbrojtje të autokratit tjetër Viktor Orban. Aje ai iku për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg për vepra korruptive. Por, ai ka arsye të festojë për rezultatin e të dielës mbrëma, ndërkohë që disponimi anti-Europë do të fillojë të rritet në mesin e qytetarëve.

Brukseli nuk kishte llogaritur mundësinë që nacionalistët të riktheheshin në pushtetin lokal në Maqedoni, por qasja e BE’së karshi Zaevit dhe qeverisë së tij ishte një kontribut i vyeshëm për Gruevskët dhe Orbanët gjihandej Ballkanit.

Zoran Zaev është një viktimë e besimit të verbër në zotimet e Brukselit për avancim të Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit. Andaj nuk ka dështuar vetëm ai dhe partia e tij, por në Shkup ka dështuar edhe Brukseli.

* * *

Rezultati i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut është potencialisht një grusht i fortë në kredibilitetin dhe përpjekjet e BE’së për të avancuar anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE, duke mos u mjaftuar me refrenin se ato paskan perspektivë europiane.

Ngathtësinë, neglizhencën dhe pafuqinë e BE’së po e provon në kurriz tash sa vjet edhe Kosova. Ka vite të tëra që vendi ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por kosovarët kanë mbetur i vetmi popull në Europë i bllokuar, si në burg, pa mundësi lëvizjeje të lirë.

Në kohën kur bëhej presion i madh për kalimin në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ishte thënë se liberalizimi do të ndodhte menjëherë. Por BE nuk e mbajti fjalën dhe skepticizmi tek disa vende të rëndësishme u rrit për këtë proces. Tash, ndonëse në heshtje, duket se liberalizimi i vizave po ndërlidhet me arritjen e një marrëveshjeje të mundshme gjithëpërfshirëse me Serbinë. Brukseli nuk ka çfarë tjetër t’i ofrojë Kosovës, ngase pesë vende anëtare të BE’së nuk e njohin si shtet të pavarur.

Shembulli i Maqedonisë së Veriut tregon shumë. Vendi u detyrua të ndërrojë emrin kushtetues, në mënyrë që të përfitojë avancim në proceset integruese euro-atlantike. Kryeministri i dorëhequr Zoran Zaev është treguar vazhdimisht bashkëpunues në nisma të ndryshme, siç është së fundi ajo për “Open Ballkan”. Por gjithë kjo gatishmëri dhe ky vullnet nuk është shpërblyer nga Brukseli. Në vend se Maqedoninë, Brukseli shpërblen Serbinë e Aleksandër Vuçiqit.

Natyrisht, Zaev mban përgjegjësitë e veta për rezultatin e zgjedhjeve. Një ndër dështimet e tij konsiderohet dështimi i reformës në sistemin e drejtësisë. Por BE nuk mund të shmaget nga përgjegjësia e vet në krejt këtë muhabet. Siç nuk mund t’i ikën përgjegjësisë as në rastin e Kosovës. Me fitoren e nacionalistëve në Maqedoni dhe duke pasur parasysh ngjarjet në Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovnë, por edhe në vendet tjera të rajonit, i është dhënë një ndihmesë e madhe nacionalistëve dhe euroskeptikëve. Zaev dha dorëheqje në shenjë përgjegjësie për rezultatin e dobët, por BE vazhdon të dështojë turpshëm dhe papërgjegjshëm në Ballkan.