string(85) "britania-serbise-nxirri-para-drejtesise-autoret-e-sulmeve-ndaj-kfor-it-dhe-ne-banjske"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 6:54

Britania, Serbisë: Nxirri para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe në Banjskë

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 6:54

Në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të formojnë sa më parë qeverinë e re, duke e cilësuar këtë si një çështje urgjente për stabilitetin institucional dhe politik të vendit.

Në deklaratën e tij, Holland shprehu gjithashtu shqetësim për tensionet e vazhdueshme në katër komunat veriore të Kosovës dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë.

“Ne vazhdojmë t’u nënvizojmë bashkëbiseduesve në Kosovë urgjencën e formimit të qeverisë,” tha ai, duke vlerësuar gjithashtu mbajtjen paqësore dhe konkurruese të zgjedhjeve parlamentare në muajin shkurt, si dhe mbështetjen që OSBE-ja i ofroi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë këtij procesi.

Gjatë fjalës së tij, Holland mirëpriti Gerard McGurk si Shef të ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe përgëzoi punën e Misionit në një kontekst të ndërlikuar politik dhe të sigurisë.

Ambasadori britanik theksoi rëndësinë që Qeveria e Kosovës të sigurojë pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të komuniteteve joshumicë dhe të përmbushë angazhimet si një shtet multietnik dhe gjithëpërfshirës.

Ai përsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për nevojën e drejtësisë lidhur me sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023, përfshirë incidentin në Banjskë dhe sulmin në kanalin Ibër-Lepenc.

“Ne bëjmë thirrje që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këto akte,” deklaroi Holland.

Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve të palëve në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke paralajmëruar se moszbatimi i marrëveshjeve dëmton jetën e qytetarëve dhe stabilitetin rajonal.

Në fjalën e tij, ambasadori britanik përgëzoi përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, por shprehu shqetësim për ndikimin politik në media dhe sigurinë e gazetarëve, duke shprehur mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për aktivitetet e OSBE-së në këtë fushë.

Holland riafirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, si dhe angazhimin për paqe dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, përfshirë rolin e të Dërguarës së Posaçme Dame Karen Pierce dhe organizimin e Samitit të Procesit të Berlinit në Londër këtë vjeshtë. /Telegrafi