Qeveria britanike ka njoftuar se Britania do të investojë 14.2 miliardë funte (19.25 miliardë dollarë) për të ndërtuar centralin bërthamor Sizewell C në juglindje të Anglisë.
Sipas BBC-së, Britania synon të ndërtojë centrale të reja bërthamore për të zëvendësuar flotën ekzistuese që është vjetëruar, me qëllim forcimin e sigurisë energjetike dhe arritjen e objektivave të saj për klimën. Bëhet e ditur se, Sizewell C do të krijojë 10,000 vende pune direkte, mijëra të tjera në kompani që do ta furnizojnë projektin dhe do të prodhojë energji të mjaftueshme për të furnizuar gjashtë milionë shtëpi.
Ky vendim është cilësuar nga kancelarja Rachel Reeves si “vendim historik” që do të “japë shtysë” për rritjen ekonomike, ndërsa Sekretari i Energjisë Ed Miliband ka thënë se investimi ishte i nevojshëm për të hapur rrugën drejt një “epoke të artë të energjisë së pastër”.
Sipas të dhënave, centrali bërthamor do të marrë rreth një dekadë kohë për t’u përfunduar dhe llogaritet të jetë “projekti më i madh i ndërtimit bërthamor i një gjenerate”.