Britania e Madhe parasheh rihapjen e kinemave më 4 korrik - Gazeta Express
string(57) "britania-e-madhe-parasheh-rihapjen-e-kinemave-me-4-korrik"

Gazeta Express

18/05/2020 22:24

Britania e Madhe parasheh rihapjen e kinemave më 4 korrik

Gazeta Express

18/05/2020 22:24

Kinematë në Britani të Madhe mund të rihapen më 4 korrik, si pjesë e masave të reja të prezantuara nga qeveria e vendit, në përpjekje për t’i lehtësuar masat aktuale të kufizimeve si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Si pjesë e planit të fundit të prezantuar nga qeveria, bizneset e tilla sikur kinematë dhe muzetë, mund të hapen jo më herët se 4 korriku i këtij viti, dhe sigurisht që gjithçka mund të ndryshojë sipas rrethanave.

Lexo Edhe:

“Ambicia në këtë pikë është që t’i hapim të paktën disa biznese në vend, të cilat ishin detyruar të mbyllen qysh në fillimet e shpërthimit të pandemisë”, thuhej në dokumentin e lëshuar nga zëdhënësit e Qeverisë britanike, të cilët po ashtu kanë potencuar që në rast se kinematë do të mbipopullohen dhe nuk i respektojnë rregullat e distancimit social, atëherë rihapja e tyre mund të shtyhet deri në kohë të pacaktuar.

Qeveria gjithashtu ka deklaruar se do t’i mbikëqyrë me kujdes këto biznese, për t’u siguruar se kanë aftësi të adaptohen me rregullat e reja të sigurisë së imponuara nga COVID-19. Përveç kësaj, me shumë kujdes do të monitorohen efektet e shkaktuara nga rihapja e kinemave anembanë botës, në bazë të së cilave do të punohet në krijimin e masave të reja të sigurisë, transmeton Koha.

Prandaj thuhet se jeta pas pandemisë do të ndryshojë shumë për secilin person, dhe eksperiencat e thjeshta, siç është vizita në kinema, do të përcillen me rregulla strikte të sigurisë.

Rrjeti i kinemave në Britani të Madhe u mbyll në muajin mars, me urdhër të qeverisë së vendit, me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit, derisa edhe shumë projekte televizive e teatrale e pezulluan punën po ashtu. Dhe kjo gjë i ka kushtuar dukshëm industrisë së filmit në vend.