Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka njoftuar për një marrëveshje të re të mbrojtjes mes Britanisë dhe Francës, të arritur gjatë natës.
Sipas The Guardian, Healey ka thënë se “Britania dhe Franca po forcojnë bashkëpunimin për të përballuar kërcënimet e sotme dhe sfidat e së nesërmes”.
Bëhet e ditur se marrëveshja përfshin një dakordësi për porositjen e një gjenerate të re raketash lundruese kundër anijeve, për të zëvendësuar sistemin ekzistues Storm Shadoë. E po ashtu, është arritur një marrëveshje që përdorimi i forcave bërthamore të të dyja vendeve mund të koordinohet.
Tutje, ministria britanike e Mbrojtjes ka deklaruar se:
“Në një hap të rëndësishëm përpara për partneritetin bërthamor Britani–Francë, një deklaratë e sapo-nënshkruar do të përcaktojë për herë të parë se mjetet bërthamore të të dy vendeve janë të pavarura, por mund të koordinohen. Dhe se nuk ka ndonjë kërcënim ekstrem ndaj Evropës që nuk do të shkaktonte një përgjigje nga të dy vendet. Si e tillë, çdo kundërshtar që kërcënon interesat jetike të Britanisë ose Francës mund të përballet me fuqinë e kombinuar të armëve bërthamore të të dyja vendeve. Bashkëpunimi në fushën e kërkimeve bërthamore do të thellohet më tej, ndërsa të dyja vendet do të punojnë së bashku për të ruajtur arkitekturën ndërkombëtare të mos-përhapjes bërthamore.”
Kujtojmë se, Britania dhe Franca janë fuqitë e vetme bërthamore në Evropë dhe mjetet e tyre të ‘frikësimit’ kontribuojnë ndjeshëm në sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe të hapësirës euro-atlantike.