Në mandatin e dytë të Qeverisë Kurti, administrata e shumicës së institucioneve shtetërore është udhëhequr nga ushtrues detyre.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në fund të vitit 2024, rezulton se ishin hiç më pak se 72% të pozitave të nivelit të lartë drejtues me U.D.
Ky numër, ndonëse ka rënë gjatë vitit 2025, vazhdon të mbetet i lartë. Deri më 29.10.2025 kur KALLXO.com mori qasjen nga MPB, kanë qenë 42% e pozitave të larta me ushtrues detyre.
Numri i lartë i pozitave të larta me U.D paraqet sfidë për vet Administratën Publike të vendit por edhe për qytetarët që marrin shërbime.
Jeton Kelmendi, profesor universitar në programin e Administratës Publike ka thënë për KALLXO.com se pasojat nga kjo qasje janë të padiskutueshme.
“Kjo është vazhdimësi e një çorodie politike që nga paslufta. Vendet me ushtrues detyre lihen në fund të mandatit, sepse po ta caktosh dikë, partitë kur janë në pushtet, qoftë në nivelin republikan apo lokal, nuk i zgjedhin qëllimisht kur kanë mandat ata”- ka thënë Kelmendi.
Kjo, sipas tij, për shkak se ka shumë pretendentë për të njëjtin vend.
“Secilit i premtohet pozitë menaxheriale, ndërkaq vendi është i kufizuar. Kjo është traditë e keqe, e shëmtuar, jo vetëm e kësaj qeverie por edhe e qeverive të mëparshme. Bartësit apo titullarët e rregullt, caktohen në momentin kur nuk ka zgjedhje. Rënia e statistikës nga 72 në 42 %, ka ndodhur pas zgjedhjeve kur partia në pushtet i ka caktuar njerëzit që ka dashur sepse më nuk ka varshmëri për to”- shtoi profesor Kelmendi.
Dritëro Arifi, Profesor i Shkencave Politike ka thënë se numri i madh i ushtruesve të detyrës ndikon në politizim, paqëndrueshmëri menaxheriale, dobësim të meritës, shpërfaqje të rreziqeve ligjore si dhe në dobësim të kapaciteteve dhe në planifikim.
“Të gjitha këto elemente ndikojnë që me humb merita apo që të kemi anashkalim të konkurrencës. Kjo është kundër parimeve të rekrutimit dhe kundër ligjeve të Kosovës dhe të BE-së. Sepse me ligje kemi maksimumin 6 muaj dhe mandej me një zgjatje deri në 12 muaj [të ushtrimit të funksionit si U.D]. Pra 12 muaj është totali. Çdo ushtrues detyre që është pas 12 muajve është tërësisht joligjor. Ky është koncepti dhe mentaliteti të cilin ne e kemi dënuar më herët, por për fat të keq Vetëvendosja ka vazhduar me të njëjtin ritëm, ndoshta edhe më keq”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, logjika e qeverisjes nuk ka ndryshuar në Kosovë. “Kanë ndryshuar emrat e pozitave, pra emrat e përveçëm, por logjika e mentaliteti i punës kanë mbetur të njëjta. Për fat të keq, nuk ka ndryshim në këtë çështje”- deklaroi Arifi.
Në shtator 2025, MPB ka publikuar Raportin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për vitin 2024.
Pjesë e këtij raporti janë edhe pozitat e lira në shërbimin civil të Kosovës.
Në këtë pjesë të raportit thuhet se për fillimin e zbatimit të Ligjit për Zyrtarët Publik kishte kaluar kohë e konsiderueshme dhe gjatë viteve 2020-2023 numri i procedurave të rekrutimit në Administratë Publike ishte i kufizuar.
Në raport thuhet se procedurat e rekrutimit fillimisht ishin të brendshme, ku mund të aplikonin vetëm nëpunësit civilë aktual brenda sistemit, e kjo, siç thuhet, paraqiste vështirësi shtesë për institucionet që të plotësonin vendet e lira.
“Viti 2023, është periudha kur institucionet publike shpallën një numër më të madh të procedurave të rekrutimit, me qëllim të plotësimit të pozitave të lira. Duke qenë se jo të gjitha institucionet kanë përfunduar procesin e hartimit të rregulloreve për organizimin e brendshëm dhe rrjedhimisht edhe përfundimin e klasifikimit të vendeve të punës, nuk ka të dhëna aktuale për numrin e pozitave të lira në të gjitha institucionet”- thuhet tutje në këtë raport.
Në këtë raport thuhet se në fund të vitit 2024 ishin 72% e pozitave të nivelit të lartë drejtues me U.D megjithatë. Aty theksohet se këto të dhëna janë nxjerr nga plani i përgjithshëm i personelit dhe se nuk përfshin të gjitha institucionet publike.
Tekstin e plotë mund ta lexoni në Kallxo.com
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...