BRICS po zgjerohet dhe bashkë me të edhe ndikimi i tij. A është kjo aleancë prej shtetesh kaq të ndryshme jorelevante, apo po krijohet një bllok antiperëndimor? Ekspertët rekomandojnë bashkëpunim.
Shkruan: Matthias von Hein
Është një humbje për të, por BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) do ta kapërcejë: Argjentina ndoshta nuk do t’i bashkohet aleancës në fillim të janarit – qeveria e re e bëri këtë të ditur përmes një postimi në Twitter. BRICS do të vazhdojë të zgjerohet me pesë shtete: aty bëjnë pjesë peshat e rënda të energjisë, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Irani, si dhe Egjipti dhe Etiopia.
Përmes zgjerimit BRICS-ikonsolidon rolin e tij si zëri i Jugut global duke sjellë më shumë rëndesë në peshoren e politikës ndërkombëtare. Zgjerimi ndodh nën presidencën e Rusisë. Dhe kur Presidenti Vladimir Putin të hapë tapetin e kuq të samitit në Kazan të Rusisë në tetor, në foton e përbashkët do të jenë dy herë më shumë krerë shtetesh dhe qeverish se më parë.
BRICS ka bërë një karrierë befasuese, që kur bankierët e Goldman-Sachs krijuan akronimin BRIC për një fond investimi në vitin 2001, që kur liderët e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës u takuan për herë të parë në vitin 2009 dhe që kur atij iu bashkua Afrika e Jugut, si i pari shtet afrikan në vitin 2011. Kjo karrierë është edhe më befasuese, kur demokracitë si Brazili, India dhe Afrika e Jugut bashkëpunojnë këtu në mënyrë pragmatike përtej kufijve ideologjikë me autokracitë, Kinën dhe Rusinë. As luftimet mes trupave indiane dhe kineze për kufirin e diskutueshëm në vitin 2020 nuk e penguan BRICS-in.
Dallimet dhe të përbashkëtat
Hyrjet e reja sjellin me vete edhe potencial të konsiderueshëm konflikti: Egjipti dhe Etiopia luftojnë për ujin e Nilit; Arabia Saudite dhe Irani luftojnë ashpërsisht prej dekadash për dominim në Gjirin Persik.
Por sado të ndryshme që janë shtetet e BRICS-itdhe interesat e tyre, Johannes Plagemann, studjues politik në institutin kërkimor të Hamburgut GIGA, identifikon një konsens minimal: “Që ekziston dëshira për një rend botëror ndërkombëtar, që dominohet më pak nga Perëndimi”.
Kjo nuk do të thotë armiqësi ndaj Perëndimit. BRICS mund t`i marrë vendimet vetëm unanimisht. Prandaj as Kina, as Rusia, dhe në të ardhmen as Irani, nuk do të jenë në gjendje të zbatojnë me lehtësi qëndrimet e veta. Dhe për shumicën e vendeve të BRICS-it duhet të vlente dallimi që Ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar bëri në shtator për vendin e tij: “India nuk është perëndimore, ajo nuk është as antiperëndimore”.
Një balancim përtej mendësisë së kampit të përbashkët
Nga anëtarësimi në BRICS, shpjegon politologu Günther Maihold, nuk fitohet vetëm status në politikën ndërkombëtare. Ai ofron edhe mundësinë për t`i ikur mendësisë së kampit të përbashkët në konkurrencën gjeostrategjike, që po shtohet mes Kinës dhe Rusisë nga njëra anë dhe Perëndimit nga ana tjetër.
“Me anëtarësimin në BRICS bëhet e qartë, se nuk dëshiron të biesh në këtë logjikë të kampit të përbashkët dhe se dëshiron të mbash një qëndrim të pavarur”, thotë Maihold, i cili jep mësim në Universitetin e Lirë të Berlinit.
Është një sinjal i kësaj pavarësie fakti, që Vladimir Putini pavarësisht nga sulmi rus ndaj Ukrainës u prit në fillim të dhjetorit me madhështi në shtetet anëtare të ardhshme të BRICS-it, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, megjithë urdhërarrestin ndërkombëtar. Në Abu Dhabi mikpritësit nuk u mjaftuan vetëm ta kalonin autokolonën e liderit të Kremlinit përgjatë bulevardeve të zbukuruar me flamuj rusë. Edhe avionët luftarakë pikturuan ngjyrat e flamurit rus në qiellin e shkretëtirës. Me kaq shumë mikpritje ndaj Putinit gati mund të të dalë nga mendja, se Emiratet e Bashkuara Arabe mbahen edhe aleat i SHBA dhe se SHBA kanë tri baza ushtarake në vend.
Rusia përfiton nga kryesimi i BRICS-it
Kryesimi i BRICS-it dhe organizimi i samitit të tij në vitin 2024 i ofrojnë Rusisë disa avantazhe, analizon eksperti i GIGA, Plagemann. Së pari brenda vendit demonstrohet që Rusia nuk është aspak aq e izoluar, sa ç`synon Perëndimi. Dhe pastaj kryesorja për Rusinë është sigurisht edhe që të mund të bëjë biznes duke anashkaluar Perëndimin, të anashkalojë sanksionet dhe të mund të shesë me fitim lëndët e saj të para.”
Madje edhe aleatët e Perëndimit brenda vendeve të BRICS-it nuk i përmbahen ndërkohë sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Në disa raste ato shihen edhe si sinjal alarmi: masat ndëshkuese kundër Rusisë dhe Iranit, ngrirja e rezervave valutore, përjashtimi nga sistemi ndërkombëtar i pagesave Swift, kanë nxitur tendencat për të kërkuar alternativa ndaj sistemit financiar të dominuar nga SHBA – për çdo kazualitet. Krijimi i një alternative të vërtetë është i vështirë dhe kërkon kohë, por Emiratet e Bashkuara Arabe për shembull lejojnë tanimë, që dërgesat e gazit dhe naftës në Indi dhe Kinë të paguhen në monedha vendase në vend të dollarëve amerikanë.
BRICS nuk ka ende as një sekretariat të vetin. Por në sektorin financiar ata kanë një institucion të vetin: Bankën e Re për Zhvillim, New Development Bank. Me hyrjen e monarkive të pasura të naftës, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, banka mund ta zmadhojë kapitalin e saj. Profesori i politikës nga Berlini, Maihold shpjegon se në këtë mënyrë do të ishin në dispozicion burime alternative financiare për projektet kombëtare të zhvillimit, por edhe në situatat e borxhit publik, “që nuk janë të lidhura me kushtet, të cilat zakonisht i atribuohen Bankës Botërore apo Fondit Monetar Ndërkombëtar”.
Vlera? Interesa!
Nga ngritja e Jugut global dhe humbja relative e pushtetit të Perëndimit Plagemann pret ndryshime të mëtejshme: “Në shumë fusha të politikës ndërkombëtare bota do të bëhet më transaksionale.” Autori i librit të botuar kohët e fundit: “Ne nuk jemi të gjithë – Jugu global dhe injoranca e perëndimit” shpjegon, se çfarë do të thotë kjo në terma konkretë: “I kushtohet më pak vëmendje unisonit ideologjik, promovimit të demokracisë, të drejtave të njeriut etj, por të gjithë pjesëmarrësit përqendrohen më shumë për të realizuar interesat e veta qenësore.”
“Ajo që ministrja e Jashtme gjermane afirmon në mbarë botën, partneritetin e vlerave si bazë për bashkëpunim, nuk shihet si bazike”, pohon Günther Maihold. “Ajo, që ne përpiqemi ta shesim si një rend i bazuar në rregulla, është diçka, për të cilën anëtarët e BRICS-it thonë: “Ne nuk i kemi vendosur këto rregulla. Dhe nuk ka asnjë arsye, pse ne duhet t’i bashkohemi ose t’i nënshtrohemi këtyre rregullave”. Sidomos kur për vendet më pak të fuqishme, “rendi i bazuar në rregulla gjithmonë ka qenë pak më shumë se hipokrizi në shkallë globale”, siç pohuan së fundmi në mënyrë autokritike Julian Barnes-Dacey dhe Jeremy Shapiro në revistën amerikane “Foreign Policy”.
Të bisedohet
Plagemann sugjeron një qasje të qetë ndaj BRICS-it. Ai këshillon që aleanca e shteteve të shihet si partner bashkëpunimi. “Nëse institucionet e mëdha ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara po bëhen gjithnjë e më pak të afta për të vepruar, grupet, grupimet dhe institucionet e mbetura duhet të jenë në gjendje të paktën potencialisht të bashkëpunojnë. Nuk sjell dobi që të ngresh kundërshti”, konkludon studiuesi nga Hamburgu.
Në një punim për institutin studimor me influencë të Berlinit, Fondacioni për Shkencë dhe Politikë, SWP, Günther Maihold ka bërë së fundi një sugjerim konkret, se si Perëndimi dhe BRICS mund të hyjnë në dialog: përmes forumeve të përbashkëta të dialogut mes kryenegociatorëve të G7 dhe BRICS. Nuk është aspak e nevojshme të jenë publike dhe mund të merren me fusha politikash, që janë më pak të prekura nga konkurrenca gjeopolitike: Maihold merr në konsideratë çështjet mjedisore dhe klimatike apo politikat globale të shëndetit.