Shkruan: Paulina Nushi
Shëndetësia në Kosovë, fatkeqësisht, përballet me një krizë të thellë. Të gjithë ne që kemi kaluar përmes dyerve të QKUK-së e ndiejmë çdo ditë se sa larg standardeve minimale për një instirucion shëndetësor, është kjo gjendje. Ajo që përjetova së fundmi, kur u detyrova të hospitalizoja djalin tim të vogël, Priamin, për një problem shëndetësor që për shumë fëmijë mund të jetë i zakonshëm gjatë rritjes, më la me ndjenja të përziera mes zemërimit dhe dëshpërimit. Ndërsa truri im ishte i mbërthyer nga shqetësimi, kuptova se duhet të bëjmë diçka, që të ndryshojmë rrënjësisht në këtë vend. Por, çka? Mua si gazetare, më mbetet lapsi e letra, të shkruaj për katrahurën në të cilën gjendet institucioni kryesor shëndetësor, në vend.
Kur hyn në QKUK, veçanërisht në Klinikën e Pediatrisë, të zë një ndjenjë shtypëse ankthi që vjen nga kaosi i përgjithshëm. Gjendja e fëmijëve të sëmurë është ajo që për çdo prind, është përvojë e rëndë. Kësaj situate i shtohet mungesa e rregullit dhe hapësirës. Pas një pritjeje të gjatë dhe të lodhshme për t’u pranuar në klinikë, u udhëzuam për në Dermatologji. Gjatë gjithë këtij procesi u përballëm me shumë vështirësi, të cilat i krijoi i ashtuquajturi “sistem shëndetësor” në fakt është shturje dhe kaos.
Kur për herë të parë hyra në dhomën e spitalit, pamja më goditi thellë: një dhomë e vogël me katër krevate jo adekuat për pacientë të vendosur afër njëri-tjetrit, për fëmijë të moshave dhe sëmundjeve të ndryshme. Ishte e paimagjinueshme që katër fëmijë të vegjël, secili me probleme të ndryshme shëndetësore të shoqëriar nga prindërit e tyre, gjithsejt 8 persona në një dhjomë të vogel, përpiqeshin të kalonin ditë dhe netë të gjata në një hapësirë të tillë të ngushtë. Një djalë 12 vjeç, një tjetër 10, fëmijë të vegjël prej 3 dhe 2.5 vjeç – të gjithë të detyruar të ndanin të njëjtin ajër të rënduar. Nga pamja e parë u bë e qartë që kushdo që vinte këtu duhej të pranonte kompromiset, dhe jo për të mirë. Vetëm për të marrë frymë normalisht brenda kësaj dhome, dukej sikur ishte një sfidë më vete.
Përveç kësaj, problemi i higjienës ishte i dukshëm. Banjat nuk ndodheshin afër dhomave dhe ishin në një gjendje që lë shumë për të dëshiruar. Si nënë me një fëmijë të vogël, u gjenda përballë vështirësisë së përditshme për t’u kujdesur për nevojat më elementare, pasi të shkoje në tualet ishte një aventurë më vete. Spitali nuk ofronte as gjërat më të thjeshta si letër higjienike, shampo apo kushtet më të zakonshme sanitare, gjë që në një institucion të tillë duhej të ishte minimale.
Atmosfera brenda spitalit ishte po aq e rëndë sa kushtet fizike. Nga dhomat e tjera dëgjoje muzikë me volum të lartë, një kontrast i fortë me atë që pritej në një ambient spitalor. Nga dhoma ngjitur, zërat muzikorë të një repertuari absurd ngulmonin në veshët e secilit prej nesh – këngë si “Mos më thuj se je qytetare, se mirë e di që je katunare” e më pas vazhdoi me vargje të tjera po aq të papërshtatshme për një ambient të tillë. Në vend që spitali të jetë një vend qetësie dhe përkujdesjeje, dukej më shumë si një hapësirë ku çdokush mund të bënte çfarë të donte.
E gjithë kjo ishte një kontrast i thellë me përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve dhe infermierëve. Në mes të gjithë kësaj gjendjeje të rënduar, ata ishin të vetmit që e mbanin këtë sistem në këmbë. Mjekët, së bashku me një ekip të mrekullueshëm infermierësh, treguan përkushtim të jashtëzakonshëm për të përmbushur nevojat e pacientëve, duke bërë maksimumin në këto kushte të vështira. Ata u interesuan për çdo detaj të shëndetit të djalit tim, duke pyetur për çdo hollësi të anamnezës së tij. Pa përpjekjet dhe vëmendjen e tyre, qëndra do të dukej edhe më e papërballueshme.
Por përpjekjet individuale të personelit mjekësor nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur problemin madhor që kemi me sistemin shëndetësor. Problemet janë të thella dhe kërkojnë ndryshime të mëdha në infrastrukturë, menaxhim dhe investime. Nuk është shumë të kërkosh krevate të rehatshme, hapësira të mjaftueshme për secilin pacient, banja të pastra dhe afër dhomave, apo edhe gjëra bazë si letrën higjienike dhe sapunin. Këto janë kërkesa elementare për një vend që pretendon të ofrojë kujdes shëndetësor cilësor.
Prandaj, dua t’i bëj thirrje Qeverisë që të marrë masa konkrete për të përmirësuar kushtet në spitale. Përkushtimi i mjekëve dhe infermierëve është i pamohueshëm, por ata nuk mund të bëjnë mrekulli në këto rrethana. Nevojiten investime të mëdha dhe një ristrukturim rrënjësor i sistemit.
Si prind, kërkoj që fëmijët tanë të trajtohen me dinjitet, në ambiente që ofrojnë kujdesin dhe qetësinë që ata meritojnë. Nuk është shumë të kërkosh – është thjesht e drejtë themelore, qasja në një institucion të denjë shëndetësor.