Rrugët e Kosovës po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në skena tragjedish. Vetëm gjatë kësaj jave, vendi është përballur me një bilanc të rëndë humbjesh njerëzore si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Brenda pesë ditë, gjashtë viktima.
Fillimi i javës solli një tragjedi familjare në Llapushnik të Drenasit, përgjatë rrugës Prishtinë–Pejë. Një çift bashkëshortor nga Drenasi humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa djali i tyre 19-vjeçar, i cili mbeti i plagosur rëndë, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë katër ditë më vonë.
Të enjten, në orët e para të mëngjesit, një aksident i rëndë ndodhi në fshatin Dollc të Klinës. Një veturë u përplas me një autobus, duke i marrë jetën një të riu 23-vjeçar – shofer i veturës. Pesë persona të tjerë mbetën të lënduar, raporson rtklive.
Po atë ditë, një tjetër viktimë u regjistrua në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një drejtues mjeti humbi kontrollin dhe u vetaksidentua për vdekje.
Tragjeditë nuk ndalën as të premten. Në Pejë, një person humbi jetën pasi automjeti i tij u përplas me një shtyllë elektrike.
Përveç viktimave, ditët e fundit janë shënuar edhe disa aksidente të tjera me të lënduar, duke e bërë situatën në rrugët e Kosovës tejet shqetësuese.
Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për kujdes maksimal nga drejtuesit e automjeteve, respektim të rregullave të komunikacionit dhe shmangie të shpejtësisë së tepruar, në përpjekje për të parandaluar humbje të jetëve njerëzore.