Brenda filozofisë së Schopenhauer dhe influencës së tij - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

12/05/2021 2:03

Brenda filozofisë së Schopenhauer dhe influencës së tij

Arte

Gazeta Express

12/05/2021 2:03

Në zyrën e Albert Einstein-it në Berlin gjatë viteve 1920, tri portrete ishin të vendosura në mur: Michael Faraday, James Clerk Maxwell dhe Arthur Schopenhauer.

Konrad Wachsman, miku i tij, shkruan një kujtim për Einstein-in se: “Ai shpesh ulej e lexonte vëllime të vjetërsuara të Schopenhauerit, dhe ulur aty, sa i lumtur dukej, sikur të ishte duke lexuar ndonjë vepër aq të gëzueshme e paqësore”.

Einstein veprat e Schopenhauer i shihte si “ngushëllim i vazhdueshëm” për të dhe e quante gjeni, shkruan Albanian Post.

Erwin Schrodinger kur e “zbuloi” Schopenahuerin konsideronte të shkëputej plotësisht nga fizika e të përqendrohej pas filozofisë nën magjinë e Schopenhauerit.

Në përgjithësi, Schopenhauer lexohej nga fizikantët, si edhe nga njëri prej pionierëve të parë të fizikës kuantike, Wolfgang Paul, i cili kishte qenë i fascinuar me koncepsionin e ‘gjësë-në-vete’ si Vullnet.

Në një intervistë për BBC në vitin 1987, që zhvillohet mes Frederick Copleston dhe Bryan Magee për Schopenahuer, me titull ‘Philosopher of Pessimism’, Magee tregon se si në fakt Schopenhauer i kishte paraprirë për njëqind vjet fizikës së shekullit të 20-të me konkluzionet e tij nga të arsyetuarit pastërtisht logjik të përvojës së tij të përditshme.

Schopenahuer dhe veprat e tij në atë kohë e kishin injoruar plotësisht nga universitetet, sikur donin ta provokonin qëndrimin e tij se “të gjitha arritjet në filozofi bëhen jashtë mureve akademike”. Asgjë, thotë Nietzsche, nuk i ofendonte savantët gjermanë më shumë sesa pangjashmëria e Schopenahuerit me ta.

Por, kur Europa më në fund, ç’iluzionohet nga idealet e mëdha, filozofia e Schopenahauer arrin të pushtojë skenën filozofike. Sulmi i shkencës mbi fenë, akuzat e socialistëve për varfërinë dhe luftën, stresimi biologjik mbi luftën për mbijetesë – të gjitha këto faktorë do të kontribuonin që filozofia e Schopenhauer të arrinte famën që i kishte munguar.

Kryeveprat e Arthur Schopenhauer janë: “Bota si Vullnet dhe Përfytyrim”, “Aforizma mbi Urtinë e Jetës”, “Baza e Moralit”, “Metafizika e Dashurisë”, “Parerga dhe Paralipomena” etj.

Rivali dhe armiku më i madh intelektual i tij ishte filozofi shtetëror i famshëm Hegeli, të cilin Schopenhauer e konsideron një fanatik, të çmendur, dhe filozofinë e tij si absurditet të pakrahasueshëm. Dhe nuk mund t’i përballonte idesë së një shoqërie intelektuale që mashtrohet me abstraksione, zhargonin fantastik, dhe glorifikon filozofi të tilla të çuditshme si të Hegelit.

Filozofia e Schopenhauerit sa është pesimiste, është po ashtu një prej prodhimeve të mendjeve më të mira e më të rafinuara që kanë ekzistuar në historinë njerëzore. Filozofia e tij e Jetës, Mendjes, Artit janë të gjitha thesar në vete.

Ai, ndonëse jetën e shihte në prizmin më tragjik të mundshëm, artin e shihte si shpëtimi i vetëm ndaj kotësisë së ekzistencës së përditshme. “Veprën e artit trajtoje si princ, lëre atë së pari të flet”. Artin e shihte si të vetmen gjë të shenjtë njerëzore. “Muzika është ushtrimi i fshehtë metafizik i shpirtit që nuk është i vetëdijshëm se po filozofon”.

Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet e Schopenhauer:

“Të gjithë njerëzit i mendojnë limitet e tyre si limite të botës”

“Jeta e lumtur është e pamundur, më së shumti që mund të arrijmë është një jetë heroike”

“Kur blejmë libra, gabimisht mendojmë se e kemi blerë edhe kohën për t’i lexuar”

“Kur një pamflet politike, fetare, novelë ose poemë është duke bërë bujë, duhet të dini se ai që shkruan për budallenj gjithmonë ka audiencë të madhe”

“Në botën tonë monogame, martesa është përgjysmim i të drejtave dhe dyfishim i detyrave”

 “Të shkolluar janë ata që kanë lexuar libra, por mendimtarët, njerëzit gjenialë, ndriçuesit e botës, dhe reformatorët e vërtetë të racës njerëzore, janë ata që lexojnë drejtpërdrejtë nga libri i botës”.

“Bota jonë e civilizuar s’është asgjë tjetër vetëm se një maskaradë. Takon kalorës, priftërinj, ushtarë, doktorë, avokatë, filozofë dhe një mijë tjerë: por ata kurrë nuk janë siç shfaqen – ata janë vetëm maska…Zakonisht, unë them, nuk ka asgjë tjetër përveç industrialistë, biznismenë dhe spekulatorë të fshehur prapa këtyre maskave”