Martin Braithwaite e ka pranuar se dëshiron të bëhet legjendë e Barcelonës, përderisa ka thënë se Camp Nou është stadiumi i tij i preferuar dhe se Ronaldo Nazario është idhulli i tij në futboll.
Sulmuesi Martin Braithwaite u transferua në Camp Nou në shkurt, pasi klubi katalonas mori leje të blejë zëvendësues për të lënduarit Luis Suarez dhe Ousmane Dembele, përkundër që ishte mbyllur afati kalimtar, transmeton Gazeta Express.
Kur u pyet se a e ka synim të bëhet legjendë në Barcelonë gjatë disa përgjigjeve që ua dha tifozëve në llogarinë e tij në Twitter, danezi i gëzoi tifozët me përgjigjen e tij.
“Natyrisht që po, dua të bëhem legjendë”, tha Braithwaite.
Braithwaite u përgjigj edhe në pyetje të tjera të shumta të tifozëve, gjatë të cilave shpeshherë e përmendi sërish klubin katalonas.
“Në futboll: Ronaldo Nazario. Jashtë futbollit: Muhammed Ali”, u përgjigj ai, kur u pyet se kë e ka idhull.
Kur u pyet se cili është stadiumi i tij i preferuar, ai u përgjigj: “Kjo është e lehtë. Camp Nou”.
“Ka shumë, s’mund të zgjedh”, tha kur u pyet për momentin e tij të preferuar në historinë e Barcelonës.
“Por, unë e mbaj mend shumë mirë golin e barazimit që Andres Iniesta e kishte shënuar kundër Chelseat në vitin 2009”.
Kur u pyet se cili është futbollisti më i shpejtë në Barcelonë, Braithwaite ishte i sigurt në përgjigjen e tij.
“Po flet me të tani”, iu përgjigj ai. /Gazeta Express/