Banka Qendrore e Kosovës ka lansuar Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, e cila synon të rrisë transparencën në tregun financiar, të fuqizojë konsumatorin dhe të ofrojë qasje të barabartë në informata të sakta dhe të përditësuara për qytetarët, raporton Ekonomia Online.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se kjo platformë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sektorit financiar në vend.
“Platforma përfaqëson një hap konkret drejt rritjes së transparencës në tregun financiar, fuqizimin e konsumatorit dhe ofrimin për qasje të barabartë në informata të sakta dhe të përditësuara. E zhvilluar nga BQK, platforma është e lehtë për t’u përdorur duke ofruar të dhëna të standardizuara, të sakta dhe të përditësuara me normat e interesit, tarifat, komisionet dhe kushtet e produkteve më të përdorura nga qytetarët. Avancimi i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse të sektorit financiar të harmonizuar me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së, sfidat me të cilat ata janë përballur gjatë zbatimit të tyre kanë shërbyer si pikë referimi për ndërtimin e një platforme si dhe një zgjidhje të përshtatur për nivelin e zbatimit të sektorit financiar të Kosovës për institucionet financiare të mbikëqyrura dhe rregulluara nga BQK”, tha ai.
Duke folur për përmbajtjen e saj, guvernatori Ismaili theksoi se platforma tashmë përmban të dhëna për 50 institucione financiare në Kosovë.
“Aktualisht platforma përmban të dhëna për 50 institucione financiare, përfshirë bankat, institucionet mikrofinanciare, institucionet jo bankare dhe kompanitë e sigurimeve. Në të janë të pasqyruara 17 kategori të produkteve të ndara në 60 nënprodukte dhe në 203 ndarje të detajuara që përbëjnë së bashku rreth 10 mijë informacione për krahasim në vendimmarrje që siguron lidhje direkte me çmimoret e secilit institucion financiar”, tha ai.
Ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se kjo nismë është shembull i fuqishëm i transparencës dhe shpjegoi se krahas informacionit, rëndësi të madhe ka edhe edukimi financiar.
“Sot flasim për tre çështje që prekin të gjithë: kuptimin e financave, informacionin e qartë dhe të saktë, si dhe sigurinë e konsumatorëve. Kjo nismë është një shembull i fuqishëm se si kuptueshmëria mund të vihet në praktikë. Por informacioni, në fakt, nuk është i mjaftueshëm. Kërkimi dhe siguria financiare janë të domosdoshme. Edukimi financiar në shkolla, fushatat informuese dhe mekanizmat mbrojtës duhet të sigurojnë që të gjithë të mund t’i shfrytëzojnë vërtet këto mundësi”, tha ai.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës në këtë drejtim.
“Kjo do të thotë se kemi edhe më shumë punë përpara. Bashkimi Evropian, ashtu si edhe Suedia dhe partnerë të tjerë, është partneri më i rëndësishëm i Kosovës në ofrimin e financimit për bizneset, për t’u mundësuar atyre të rriten dhe të inovojnë. Bashkimi Evropian është i kënaqur që po planifikoni këtë platformë. Kontributi i Bashkimit Evropian nuk kufizohet vetëm në financim. Ai lidhet gjithashtu me rritjen e ndërgjegjësimit dhe sigurisë, në mënyrë që njerëzit të mund të marrin vendime të informuara dhe të ndërtojnë një të ardhme të fortë”, tha Orav.
Përfaqësuesja e Finance in Motion dhe menaxhere e portofolios të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), Venera Hoxha, tha se ky projekt është i një rëndësie strategjike për sistemin financiar.
“Kjo ngjarje shënon përpjekjet për të përfunduar me një projekt të një niveli të tillë. Kjo nuk është vetëm një projekt teknik por është një projekt strategjik sepse nuk mbështet vetëm klientët në këtë rast por mbështet të gjithë akterët e sistemit financiar dhe është thelbësor për sistemin financiar”, tha ajo.