Botsuana shpall gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore - Gazeta Express
string(55) "botsuana-shpall-gjendje-te-jashtezakonshme-shendetesore"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 8:57

Botsuana shpall gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 8:57

Botsuana ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore, në kohën kur shteti i Afrikës Jugore po ballafaqohet me mungesë të ilaçeve dhe pajisjeve themelore mjekësore.

Presidenti i vendit, Duma Boko, e dha njoftimin në një fjalim të transmetuar në televizion të hënën, duke paraqitur një plan multimilionësh për ta përmirësuar zinxhirin furnizues. Në këtë plan do të përfshihet mbikëqyrja nga ushtria, raporton televizioni BBC.

Menaxhimi i situatës do të jetë “shumë i ndjeshëm në aspektin e çmimeve për shkak të varkave tona të kufizuara [të fondeve]” – tha ai në fjalimin para popullit.

Ekonomia e Botsuanës është goditur nga një rënie në tregun ndërkombëtar të diamanteve, pasi vendi është njëri nga prodhuesit kryesorë të tyre në botë. Kjo vështirësi, e përkeqësuar nga pakësimi i ndihmave nga Shtetet e Bashkuara, ka ndikuar që shumica e 2,5 milionë banorëve të Botsuanës të ballafaqohet me papunësinë dhe nivelin e lartë të varfërisë, sipas raportimeve të mediave.

“Puna duhet të qëndrojë e pandërprerë derisa tërë zinxhiri furnizues i blerjeve të jetë rregulluar” – tha presidenti Boko në fjalimin e tij, duke njoftuar se Ministria e Financave ka miratuar 250 milionë pula (valutë kombëtare në vlerën e 13,8 milionë funteve britanike) si fond urgjent.

Më herët këtë muaj, Ministria e Shëndetësisë lëshoi një paralajmërim, duke thënë se po ballafaqohej me “sfida të konsiderueshme”, përfshirë mungesën e furnizimeve dhe borxhin prej më shumë se 55,2 milionë funtesh.

Shumica e këtij borxhi është grumbulluar për shkak se pacientët janë pranuar në spitale private për të marrë shërbime që nuk janë ofruar në sektorin publik.

Në mesin e produkteve që mungojnë, sipas listës së publikuar nga ministri i Shëndetësisë, Stephen Modise, përfshihen ilaçet dhe furnizimet që përdoren për trajtimin e kancerit, virusit HIV dhe tuberkulozit.