Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” sapo ka nxjerrë nga shtypi dy libra me poezi nga dy poetë tashmë të ndjerë nga Mitrovica.
“Dallgëzime shpirti” nga Sabit Idrizi dhe “Balada e pritjes” nga Jakup Ceraja janë dy përmbledhjet me poezi, të cilat tashmë lexuesi mund t’i ketë në dorë.
Libri i parë, “Dallgëzime shpirti” i Sabit Idrizit është përmbledhja e fundit me poezi e autorit mitrovicas, e dërguar për botim pak para se autori të ndërrojë jetë, ndërsa përmbledhja tjetër, “Balada e pritjes” e autorit Jakup Ceraja botohet për herë të dytë, 25 vjet pas botimit të parë. Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë shkruar gjatë viteve nëntëdhjetë, ndërsa janë botuar menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999. Këto poezi janë të një periudhe të caktuar dhe bartin në vete një realitet të jetuar drejtpërdrejt ose edhe tërthorazi. Janë të shkruara gjatë periudhës më dramatike që përjetoi Kosova në historinë e saj.
Ndërkaq, sa i përket përmbledhjes “Dallgëzime shpirti” të autorit Sabit Idrizi, mund të thuhet se poezia e tij ka një ndjeshmëri dhe shqetësim ndaj padrejtësive shoqërore dhe degradimit moral të shoqërisë, andaj vargu i tij ka në vete aq shumë dhimbje dhe revoltë.
/Express