Botime të reja / ‘Pika pa sipërfaqe’ - Gazeta Express
string(34) "botime-te-reja-pika-pa-siperfaqe-2"

Arte

Gazeta Express

31/05/2023 13:36

Botime të reja / ‘Pika pa sipërfaqe’

Arte

Gazeta Express

31/05/2023 13:36

Së shpejti në librari dalin dy botime të reja të shtëpisë botuese ‘Pika pa sipërfaqe’. Bëhet fjalë për dy autorë të huaj të përkthyer në gjuhen shqipe, Alenka Zupančič dhe William T. Cavanaugh.

“Sprovë e shkurtër mbi teoritë konspirative”, nga filozofja sllovene Alenka Zupančič (me përkthim nga Pavjo Gjini). Ky është libri nr. 4 në serinë “pika të vogla”.

Lexo Edhe:

Alenka Zupančič është filozofe bashkëkohore, e cila, së bashku me filozofë të tjerë si Slavoj Žižek dhe Mladen Dolar, ka zhvilluar të ashtaquajturën Shkolla Psikanalitike e Lubjanës. Kjo plejadë ka zhvilluar një prej qasjeve më ndikuese në mendimin filozofik bashkëkohor. Ndër veprat Zupančič mund të përmendim “Ethics of the Real: Kant and Lacan,” “The Shortest Shadow: Nietzsche’s Philosophy of the Two,” “The Odd One In: On Comedy,” “What is Sex?”. Qasja e saj filozofike mbështetet në një rilexim të traditës hegeliane përmes mendimit psikanalitik të Jacques Lacan. Trajtesat e saj lëvizin mes temave të mëdha teorike dhe fenomeneve të kulturës popullore.

Eseja “Sprovë e shkurtër mbi teoritë konspirative“ është botuar në përmbledhjen eseistike “Objective Fictions: Philosophy, Psychoanalysis, Marxism”.

“Miti i dhunës fetare: Ideologjia shekullare dhe rrënjët e konfliktit modern”, nga William T. Cavanaugh (përkthyer nga Visar Zeka).

Miti i dhunës fetare është pikëpamje dhe qëndrim që beson se “feja” është një fenomen endemik në të gjitha kulturat dhe epokat e njerëzimit, i veçuar nga fushat e tjera të aktivitetit njerëzor që, si politika apo ekonomia, klasifikohen si “shekullare”. Sipas kësaj pikëpamjeje, feja ka prirje për dhunë dhe është absolutiste, irracionale dhe për rrjedhojë e nxit atë. Cavanaugh tregon në këtë vepër, duke argumentuar mbi bazën e burimeve historike, teologjike dhe juridike, se religjioni [feja] nuk është një realitet tejkulturor dhe tejhistorik dhe s’mund të ndahet nga sferat e tjera të aktivitetit njerëzor, dhe se kundërvënia fetare-shekullare është shpikje e modernitetit perëndimor, e cila ka fituar një përhapje të gjerë dhe ka vend qendror në folklorin e shoqërive tona. Mbi këtë konceptim është mbështetur zbutja dhe margjinalizimi i “tjetrit fetar”, si dhe legjitimimi i dhunës së shteteve moderne, e cila dhunë është gjithnjë moderne, demokratike, përbashkuese dhe racionale. Diskriminimi dhe ndarja mes fetares dhe politikes, sipas Cavanaugh, është një ndër armët më të fuqishme në duart e shteteve moderne.

William T. Cavanaugh (1962) është teolog i shquar katolik. Ai jep mësim në Universitetin Saint Thomas në Minesota. Ka studiuar për teologji në Universitetin Notre Dame, në Cambridge dhe Duke. Ka botuar shkrime, artikuj dhe libra të ndryshëm rreth raportit mes teologjisë dhe politikës. Ndër librat e tij më të njohur janë “Miti i dhunës fetare”, “Tortura dhe eukaristia” dhe “Imagjinata teopolitike: zbulimi i liturgjisë si akt politik në epokën globale të konsumizmit”.