Botime të reja / ‘Pika pa Sipërfaqe’ - Gazeta Express
string(35) "botime-te-reja-pika-pa-siperfaqe-10"

Botime të reja / ‘Pika pa Sipërfaqe’

Arte

Gazeta Express

15/05/2024 15:34

Gjendet tashmë nëpër librari “Mendime mbi shkaqet e lirisë dhe shtypjes shoqërore”, nga mendimtarja frënge Simone Weil (me përkthim nga Enela Topulli).

Simone Weil (1909–1943) ka filozofuar brenda terrenit filozofik dhe jashtë tij. Dëshira e fortë e Weil për drejtësinë dhe të vërtetën e çoi atë në qarqet akademike dhe në mes të klasës punëtore në fabrikë. Jeta dhe vepra e saj qenë të mbushura me të tilla kontradikta: ajo qe, në periudha të ndryshme, aktiviste, pacifiste, militante, anarkiste, mistike. Edhe pse në mënyrë jo rigorozisht sistematike, synim i filozofisë së saj mbeti jeta njerëzore në tërësinë e saj. Ndonëse e shtrirë në pak vite — vdiq kur ishte 34 vjeç — veprimtaria e saj letrare përfshin shënime dhe komente mbi klasikët të antikitetit, vëzhgime të holla e të përditshme nga puna në fabrikë, por edhe pamflete dhe ese politike, fetare, shkrime mbi dhunën, universitetin, anarkizmin.

Lexo Edhe:

Ndikimi i Weil qe i thellë ndër bashkëkohësit e saj (De Beauvoir, Camus), dhe sot e kësaj dite mbetet një nga mendimtaret më të përmendura e të studiuara.

“Mendime mbi shkaqet e lirisë dhe shtypjes shoqërore” është një ese e gjatë, në të cilën Weil analizon mekanizmat që përcaktojnë lindjen e një shoqërie shtypëse, si dhe në ç’mënyrë mund të ndërtohet një shoqëri e lirë prej shtypjes. Eseja nis me një kritikë të termit “revolucion”, filozofisë marksiste, veçanërisht nocionit të punës dhe specializimit të saj. Pason një analizë e shtypjes shoqërore dhe se si mund të arrihet në zhdukjen e saj. Në vazhdim, autorja përpiqet të shtrojë një kuadër teorik për një shoqëri të lirë. Në fund shpaloset “utopia” që propozon Weil: zhvillimi i një ndryshim kulturor që ngërthen bashkëveprimin e arritjeve shkencore dhe punës së krahut.