Botërori i Shqipërisë nën shenjën “11”, kuqezinjtë e luajnë shansin e madh në Beograd - Gazeta Express
string(82) "boterori-i-shqiperise-nen-shenjen-11-kuqezinjte-e-luajne-shansin-e-madh-ne-beograd"

Futboll

Gazeta Express

11/09/2025 9:46

Botërori i Shqipërisë nën shenjën “11”, kuqezinjtë e luajnë shansin e madh në Beograd

Futboll

Gazeta Express

11/09/2025 9:46

Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme jo vetëm për kualifikueset e Botërorit, por gjithashtu edhe për historinë, duke ditur rivalitetin e kuqezinjve me Serbinë, historikun mes tyre dhe sigurisht, problemet politike që pavarësisht se në futboll nuk kanë vend, në tribunat e tifozerisë serbe kanë qenë gjithmonë prezentë, madje edhe atëherë kur asgjë nuk lidhej as me Shqipërinë dhe as me Kosovën.

11 TETOR 2025- Kjo ndeshje e shumëpritur, pritet të zhvillohet në datën 11 tetor në Beograd dhe numri 11, nuk vetëm data në të cilën luhet ndeshja, por lidhet edhe me shumë “11-a” të tjera.

11 VITE NGA DRONI- Në vitin 2014, Shqipëria luante një ndeshje të madhe në Serbi, teksa ëndrra për një vend në Europianin e Francës sapo kishte nisur.

Kuqezinjtë përballeshin jo vetëm me skuadrën serbe, por me terrorin serb, me tifozerinë e cila në çdo moment bënte thirrje për vdekjen e shqiptarëve, apo edhe me vendimet për të mos lejuar jo vetëm tifozët shqiptarë, por as flamurin kuqezi në stadium.

Gjithçka u duk se po shkonte mirë, kur në qiellin e Beogradit u shfaq flamuri “Autochthonous”, me autor Ballist Morinën, “incident” ky që jo vetëm që i solli Shqipërisë 3 pikët në tavolinë, por gjithashtu dënoi edhe Serbinë me zbritje pikësh, duke e bërë kualifikimin e kuqezinjve edhe më të lehtë.

11 PIKË NË SERBI- Kuqezinjtë kanë objektiv vendin e dytë në grup, pasi Anglia praktikisht e ka blinduar vendin e parë, duke treguar forcën ndaj çdo rivali.

Të gjithë në Kombëtare e dinë se pas hapit fals ndaj Letonisë, vendi i dytë mund të arrihet vetëm duke mundur Serbinë në Beograd, që duhet të shoqërohet patjetër me një fitore ndaj Andorrës e më pas, ndaj Anglisë mund të luajnë pa presionin e rezultatit.

Me një fitore në Serbi, kuqezinjtë do të arrinin në kuotën e 11 pikëve dhe me shumë gjasa, do të blindojnë vendin e dytë në grup.

11 PËRBALLJE MES DY SKUADRAVE- Dy skuadrat janë përballur në historinë e tyre 11 herë, nga të cilat 3 ndeshje kanë qenë mes Shqipërisë e Serbisë, e 8 të tjera kanë qenë mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë, megjithatë fitorja e vetme e kuqezinjve ka qenë në 14 tetorin e vitit 2014, me rezultatin 0-3 në tavolinë, fitore kjo që e ndihmoi Shqipërinë të shkonte në Europianin e 2016 me 14 pikë.

11 LUANË NË FUSHË- Në datën 11 tetor, në fushë nuk duhet të jenë vetëm 11 futbollistë por 11 luanë, të cilët duhet të dinë vlerën e fitores, vlerën e 3 pikëshit e për më tepër, duhet të dinë vlerën e fanellës kuqezi dhe faktin se një fitore, i afron jashtëzakonisht shumë me Botërorin, pavarësisht se duhet të kalojnë edhe fazën e “Play Off”, shkruan PanoramaSport.

Nëse në fushë janë 11 luanë të cilët japin shpirtin deri në vërshëllimën e fundit, fitorja mund të arrihet pa vështirësi ashtu siç merrej ndaj Greqisë kampione të Europës, apo edhe ndaj Francës në miqësore e ndaj Portugalisë në kualifikueset e Europianit.