Bota nuk ka hequr dorë nga Amerika - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

15/06/2021 14:32

Bota nuk ka hequr dorë nga Amerika

OP/ED

Gazeta Express

15/06/2021 14:32

Në më shumë se gjysmën e vendeve të anketuara, popullariteti i Amerikës është të paktën 20 pikë përqindje më i lartë se 1 vit më parë. Dhe në çdo vend ku është e mundur të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë, ndryshimi midis besimit të publikut tek Joe Biden këtë vit dhe besimit të publikut tek Trump vitin e kaluar, është dramatik

Nga Richard Wike

Lexo Edhe:

Gjatë 4 viteve të tij në detyrë, ish-presidenti Donald Trump i shkaktoi një dëm të jashtëzakonshëm imazhit dhe reputacionit të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën.

Padurimi i tij me normat demokratike dhe mospërfillja ndaj multilateralizmit, bëri që edhe aleatët më të ngushtë të SHBA-së të pyesin veten nëse mund t’i besojnë sërish plotësisht Uashingtonit.

Dhe megjithëse amerikanët votuan në nëntor 2020 për largimin e Trump nga Shtëpia e Bardhë, shumë analistë parashikuan se trashëgimia e tij do ta vazhdojë të njollosë imazhin e vendit edhe në të ardhmen. Siç argumentoi politologu Jonathan Kirshner në “Foreign Affairs”, “bota nuk mund ta harrojë presidencën Trump”.

Por një sondazh i ri nga Pew Research Center zbulon se reputacioni global i Shteteve të Bashkuara është ri-ngritur në një shkallë të jashtëzakonshme. Shumë njerëz në opinionin publik ndërkombëtar, mbeten skeptikë mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj interesave të tyre, dhe madje edhe më shumë dyshojnë nëse demokracia amerikane duhet të mbahet ende si një model për vendet e tjera.

Por aleatët dhe partnerët e SHBA-së e kanë mirëpritur në shumicë zgjedhjen president të Joe Biden si president dhe e kanë brohoritur angazhimin e tij për rindërtimin e aleancave dhe kërkimin e zgjidhjeve shumëpalëshe për problemet globale.

Administrata Biden ka një rrugë të gjatë përpara për të rivendosur besimin tek udhëheqja amerikane në skenën botërore. Por është e qartë se bota nuk ka hequr dorë plotësisht nga Shtetet e Bashkuara. Reputacioni global i Amerikës ka pasur luhatjet e veta, por gjatë 2 dekadave të fundit, ai ka qenë veçanërisht i paqëndrueshëm.

Pushtimi i Irakut nga presidentit George W.Bush, midis politikave të tjera antipopullore, e dëmtoi imazhin e SHBA-së në sytë e botës, ndërsa popullariteti global i presidentit Barack Obama çoi në një ngritje të perceptimeve të favorshme.

Zgjedhja e president e Trump, çoi në një tjetër rënie të madhe të pikëpamjeve pozitive mbi Shtetet e Bashkuara. Deri në vitin 2020, pjesa e publikut ndërkombëtar që kishte një pikëpamje pozitive mbi SHBA-në kishte rënë në pikën më të ulët që nga viti 2002, kur Pew Research Center filloi sondazhet e rregullta mbi këtë temë.

Sondazhi i ri me qytetarët e 16 ekonomive të përparuara -9 në Evropë, 6 në Azi, plus Kanadaja – zbulon se në përgjithësi imazhi i Shteteve të Bashkuara është rikuperuar dhe ka arritur në nivelet e vërejtura gjatë administratës Obama.

Në më shumë se gjysmën e vendeve të anketuara, popullariteti i Amerikës është të paktën 20 pikë përqindje më i lartë se 1 vit më parë. Dhe në çdo vend ku është e mundur të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë, ndryshimi midis besimit të publikut tek Joe Biden këtë vit dhe besimit të publikut tek Trump vitin e kaluar, është dramatik.

Për shembull, në Gjermani 78 për qind e të anketuarve janë të bindur se Biden do të bëjë atë që duhet në çështjet botërore, ndërsa vetëm 10 për qind thanë të njëjtën gjë për Trump 1 vit më parë. Hendeku shumë i madh në perceptimet mbi Biden dhe Trump, mund të shpjegohet pjesërisht nga tiparet e personalitetit dhe kualifikimet profesionale të dy udhëheqësve.

Shumica e përshkroi Trumpin si “arrogant” dhe “të rrezikshëm”që gjatë vitit të tij të parë në detyrë, ndërsa pak e shohin Biden në këtë mënyrë. Në të 12 vendet e anketuara si në vitin 2017 po ashtu edhe në vitin 2021, një mesatare prej 77 për qind mendojnë se Joe Biden është i kualifikuar për të qenë president, ndërsa mesatarisht vetëm 16 për qind e të pyeturve mendonte kështu për Trumpin 4 vjet më parë.

Trump renditej më mirë si një“udhëheqës i fortë”. Mesatarisht 46 për qind e të anketuarve e cilësuan kështu në vitin 2017. Por po në këtë aspekt, Biden merr vlerësime më të larta, me një mesatare prej 62 për qind që e etiketojnë një udhëheqës të fortë.

Por hendeku i perceptimit midis Biden dhe Trump, ka të bëjë edhe me politikat. Publiku i huaj, e kundërshtoi në masë tërheqjen e Trump nga marrëveshjet ndërkombëtare, si ajo klimës në Paris, marrëveshja bërthamore e Iranit, apo edhe paktet e tregtisë ndërkombëtare. Po ashtu ata refuzuan politikat e tij të ashpra të imigracionit dhe përpjekjet për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë. Në të kundërt, vendimet e Joe Biden për t’u ribashkuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, dhe për të lejuar më shumë refugjatë në Shtetet e Bashkuara gëzojnë një mbështetje të gjerë.

Edhe lëvizja e tij për t’u bashkuar me marrëveshjen e klimës së Parisit, gëzon një mbështetje të gjerë. Për shembull 93 për qind e spanjollëve, e miratojnë aktin e Biden, krahasuar me vetëm 12 për qind që e mbështetën tërheqjen e Trump nga marrëveshja e klimës në vitin 2019.

Qasja më shumëpalëshe e Biden ndaj politikës së jashtme, ka ndihmuar gjithashtu në përmirësimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara në botë. Sondazhet e Pew Research Center,kanë zbuluar se qytetarët e zakonshëm në të gjithë botën i mbështesin zakonisht parimet e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Por Biden nuk ka eleminuar ende dyshimet në lidhje me besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara si një aleate, ose shqetësimet në lidhje me angazhimin e SHBA-së për të bashkëpunuar me vendet e tjera. Ndonëse shumica i konsiderojnë ende Shtetet e Bashkuara si një partner të besueshëm, pak prej tyre mendojnë se amerikanët janë “shumë të besueshëm”.

Dhe mbi këtë çështje ka një mospërputhje të madhe. Kështu, 80 për qind e të pyeturve në Holandë thonë se Shtetet e Bashkuara janë një aleate e besueshme, krahasuar me vetëm 54 për qind në Tajvan. Një ankesë shumëvjeçare ndaj Shtetet e Bashkuara, e vërejtur nga sondazhet e kësaj qendre gjatë administratave demokratike dhe republikane, është se ajo injoron vazhdimisht interesat e kombeve të tjera.

Ky perceptim vazhdon të ekzistojë edhe gjatë presidencës Biden. Krahasuar me presidencën Trump, më shumë njerëz tani bien dakord se Shtetet e Bashkuara marrin parasysh edhe interesat e vendeve. Por në pjesën më të madhe të rasteve, kjo është ende një pikëpamje e pakicës. Vetëm rreth një e treta e të anketuarve në sondazhin e këtij viti, mendojnë se Shtetet e Bashkuara shqetësohen realisht për interesat e vendeve të tyre. Në Zelandën e Re, Suedi dhe Spanjë, kjo pikëpamje mbështet nga më pak se çereku i të anketuarve. Sigurisht, sondazhet e mëparshme kanë treguar se njerëzit në të gjithë botën, kanë të njëjtën ndjesi për superfuqinë tjetër globale:Kinën.

Pak prej tyre mendojnë se Pekini shqetësohen për interesat e vendeve të tjera. Dhe ashtu si perceptimet globale ndaj SHBA-së arritën pikën më të ulët në vitin 2020, po kështu ndodhi edhe me qasjen ndaj Kinës, duke reflektuar shqetësimet në lidhje me trajtimin që Pekini i bëri në fillim pandemisë së Covid-19, dhe shkeljet ndaj të drejtave të njeriut.

Ndërkohë,Shtetet e Bashkuara kritikohen për “shëndetin” e demokracisë së tyre. Sot, shumë njerëz mendojnë se demokracia amerikane nuk është më modeli që ishte dikur, me të rinjtë që janë më skeptikë se të tjerët. Sondazhi i këtij viti zbuloi mbështetje të gjerë për planin e Biden për të organizuar një samit të demokracisë, por është e qartë se shumica e të anketuarve besojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të reflektojnë dhe të shqyrtojnë të metat e demokracisë së tyre.

Shënim: Richard Wike është drejtor i Kërkimit Global të Qëndrimeve në Pew Research Center. / Foreign Affairs; bota.al