Bota e Luis Borhesit - Gazeta Express
string(20) "bota-e-luis-borhesit"

Arte

Gazeta Express

24/01/2023 15:21

Bota e Luis Borhesit

Arte

Gazeta Express

24/01/2023 15:21

Bota e mistershme dhe fantastike e përshkruar nga Borhesi mund të quhet sureale, por s’ka dyshim që është si realiteti.

Në veprat e tij vihet në mëdyshje e vërteta dhe e gabuara, përmbajtja dhe forma, e pamundura i kundërvihet të mundurës, e dukshmja të padukshmes. Mirë se vini në labirintin e madh të Borhesit, ku realiteti mund të mos jetë ai që mendoni se është. Për të, një libër është vetëm një shtrirje e kujtesës dhe imagjinatës, ide e cila qëndron në zemër të krijimtarisë së tij si shkrimtar, është një pjesë integrale e atij që është dhe, si rrjedhojë, e stilit të të shkruarit. “Stili është diçka e thjeshtë, – shprehet Virxhinia Ulf, – gjithçka ka të bëjë me ritmin. Kur e kap, nuk mund të përdorësh fjalët e gabuara…”. Për Borhesin libri ishte “zëri i autorit’. Për shkak të verbërisë, Borhesit i nevojitej ndihma e miqve dhe familjes për pjesën më të madhe të jetës. Për fat të mirë, nuk e ndërpreu krijimtarinë letrare. Borhesi ishte shkrimtar, eseist dhe poet, erudit, por edhe shkrimtari i preferuar i shkencëtarëve për stilin e tij profetik. Mbi të gjitha, ishte një nga eksponentët më të mëdhenj të realizmit magjik, i dukshëm në secilën prej veprave të autorit si “Aleph”, “Tango me Horhe Luis Borhes”, “Inkuizicionet e tjera”, “Pasqyra e bojës”, “Libri i rërës”, “Poezi të zgjedhura”, “Libri i qenieve imagjinare” etj. Ndikimi i madh i veprës së shkrimtarit në kulturën botërore e ka shndërruar në model referimi për letërsinë e shekullit të 20-të. Është vlerësuar me çmime të ndryshme si çmimi Servantes për letërsinë, atë të Urdhrit të Arteve dhe Letrave të Francës, apo Kalorës të Urdhrit të Perandorisë Britanike.

Lexo Edhe:

Borhesi kishte stilin e vet, gjithmonë të pagabueshëm. Një stil elegant, i ftohtë dhe me shumë profesionalizëm, dalë nga një logjikë e patrazuar i transmeton lexuesit spekulimet më rravguese, në një distancë të pafundme nga jeta “e zakonshme”. Historia ishte zhanri i parapëlqyer, sepse, siç shprehej, nuk e detyronte të përdorte mbushësin, siç ndodh, për shembull, me romanin. Refleksionet filozofike, të pranishme në tregimet e tij, gjurmojnë një univers unik dhe të jashtëzakonshëm, të pakapërcyer deri më tash nga asnjë autor tjetër.

Luis Borhes u lind më 24 gusht 1899 në Buenos Aires, Argjentinë, në një familje ku shkriheshin dy sfera kundërshtare: ajo ushtarake dhe letrare. Gjyshi, Francisco Borhes Lafinur, ishte kolonel uruguaian, ndërsa stërgjyshi dhe xhaxhai nga babai ishin poetë dhe kompozitorë. I ati jepte leksione psikologjie dhe kishte një shije të hollë letrare. Pra, fëmijëria e tij u shenjua nga biblioteka atërore, ku vetë Borhesi kalonte goxha kohë. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, familja Borhes ishte në Evropë. I ati sapo kishte humbur shikimin për shkak të një sëmundjeje, që Borhesi do ta trashëgonte më vonë dhe ndodhej për kurim. Tregimet, esetë dhe poezitë, e shndërruan në shkrimtarin më premtues në Amerikë. Në atë periudhë, për herë të parë, stili i tij u drejtua nga avangarda kozmopolite, që më vonë e priu drejt labirintit të metafizikës. Gradualisht, magjepsja për konceptet si koha, hapësira, pafundësia, jeta dhe vdekja, do ta bëjë atë një studiues të palodhur dhe do ta çojë atje ku e vërteta takon imagjinaren, ku e pazakonta fton lexuesin të thellohet në pyetje filozofike.

Verbëria nuk e frenoi të vazhdonte punën. Familja, veçanërisht nëna, e shoqja, Elsa Astete Millan, më hvonë partnerja e fundit, shkrimtarja argjentinase Maria Kodama, ishin të rëndësishme në veprat dhe leximet letrare. Borges vijoi të botonte vepra si “Manuali i zoologjisë fantastike”, libra me poezi, bashkëpunoi me Universitetin e Harvardit për dy vjet. Jeta artistike ishte intensive, e pasur dhe shumë produktive, pavarësisht errësirës që i mbulonte sytë. Nga posti i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Buenos Aires dha dorëheqjen vetëm në 1973, pasi i kishte kushtuar gati 20 vjet të jetës. Vdiq në 1986 në Gjenevë nga kanceri i pankreasit dhe u varros në një varrezë zvicerane, në epitafin e të cilit lexojmë: “And ne forhtedon na” (Mos kini frikë), si referim i një vepre norvegjeze të shekullit të 13-të e shfaqur në një nga tregimet e tij të famshme: “Ulrika”. Ashtu si Xhois ose Kafka, ai diti të krijonte një personazh të pandarë nga vepra, aq sa u shndërrua në mbiemër – borhesian. “Kur isha i ri, – rrëfen, – besoja te teoritë. Tani e di që poezia lind nga gjuha, sepse çdo gjuhë është një mënyrë për të ndjerë botën; çdo gjuhë është një letërsi e mundshme”. Në veprën e Borhesit, ekziston një pjesë misterioze, magjepsëse, e pashpjegueshme, që i shpëton kohës, duke rrëshqitur me dinakëri fushave të njohura të të shkruarit, duke anashkaluar në mënyrë gjeniale standardet e krijimit letrar. Borhesi i ushqen veprat e veta me një sërë referencash kulturore dhe historike, të cilat shpesh i ofrojnë etiketimi e shkrimtarit erudit, sidoqoftë, pas kompleksitetit strukturor dhe tematik të krijimeve, Borhesi përshkruan botën tonë, duke shpalosur një vizion humanist, të thjeshtë dhe origjinal. Pikërisht këtu qëndron suksesi i Borhesit: trajton gjendjen njerëzore, duke shpenguar formën letrare, rrëfen kompleksitetin e ekzistencës, duke ndriçuar kornizën dhe duke rinovuar hullitë e të shkruarit. Me Borhesin, letërsia bëhet një ushtrim në të mundshmen: arrin t’i tregojë botës në disa faqe, përmbledh historinë e njerëzimit në disa veçori origjinale, erudite dhe lozonjare./hejza