Bosnja sanksionon 11 shtetas të saj për lidhjet e tyre me IS-in dhe Al-Nusrën - Gazeta Express
string(77) "bosnja-sanksionon-11-shtetas-te-saj-per-lidhjet-e-tyre-me-is-in-dhe-al-nusren"

Gazeta Express

20/02/2026 16:07

Bosnja sanksionon 11 shtetas të saj për lidhjet e tyre me IS-in dhe Al-Nusrën

Gazeta Express

20/02/2026 16:07

Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngrirë pasurinë dhe mjetet financiare të 11 shtetasve të Bosnjës të lidhur me organizatat terroriste, Shteti Islamik (IS) dhe Al-Nusra, duke zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Për shumicën e personave të sanksionuar është lëshuar edhe njoftimi i kuq i INTERPOL-it, me kërkesë të autoriteteve të Bosnje e Hercegovinës.

Vendimet kanë të bëjnë me ngrirjen e burimeve ekonomike dhe mjeteve financiare të personave që lidhen me vepra penale të ndërlidhura me terrorizmin dhe financimin e tij dhe janë publikuar më 19 shkurt.

Në listë është edhe Nusret Imamoviq, udhëheqës radikal selefist, i cili para disa vitesh ishte futur në listën e dhjetë terroristëve më të kërkuar në botë dhe ndodhet nën sanksione të Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Sipas informacioneve që janë të qasshme, ai dhe familja e tij jetojnë në Siri për më shumë se dhjetë vjet.

Ndër të sanksionuarit janë edhe Muradif Hamzabegoviq, për të cilin supozohet se ndodhet në Siri, si dhe bashkëshortja e tij, Sena Hamzabegoviq, e cila ishte ndjekur penalisht për dërgim të parave në Siri, por është liruar nga akuzat, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmojë se ajo e dinte për çfarë qëllimi po përdoreshin paratë.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Hamzabegoviqin në mungesë në vitin 2013 me gjashtë vjet burg për kontrabandim të qenieve njerëzore.

Në listën e të sanksionuarve është edhe Hariz Meshanoviq, si dhe dy djemtë e tij, Adem dhe Meho, për të cilët gjithashtu supozohet se ndodhen në Siri.

Pasuria është ngrirë edhe për Azur Karasuljiqin, Edin Zukiqin dhe Emir Çelamo, si dhe për Aleksandar Ruzhiqin, për të cilin thuhet se iu bashkua grupeve terroriste në Siri.

Masat vlejnë edhe për Jasmin Grabusin, i cili gjithashtu ndodhet në Siri.

Këshilli i Ministrave i Bosnje e Hercegovinës ka bërë të ditur se vendimet kanë karakter parandalues dhe janë të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të shtetit, përfshirë obligimet ndaj MONEYVAL-it (Komiteti i ekspertëve të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të Këshillit të Evropës) në lidhje me vendosjen e sanksioneve financiare për terrorizëm.

Është theksuar se masat nuk paraqesin përcaktim të përgjegjësisë penale dhe as nuk paragjykojnë rezultatin e ndonjë procedure para gjykatave kompetente apo Prokurorisë.

Sipas të dhënave të agjencive të inteligjencës dhe sigurisë, nga Bosnja dhe Hercegovina gjatë konfliktit në Siri dhe Irak, në periudhën 2012-2016, kishin shkuar rreth 300 shtetas të Bosnjës, përfshirë burra, gra dhe të mitur, ndërsa në këto zona kanë lindur edhe më shumë fëmijë.

Pjesa më e madhe e largimeve është regjistruar në vitet e hershme të konfliktit.

Nga ky numër, vlerësohet se ndërmjet 80 dhe më shumë se 100 persona janë vrarë ose kanë vdekur në zonat e luftës, ndërsa disa dhjetëra janë kthyer në Bosnje dhe Hercegovinë, qoftë në mënyrë private apo përmes riatdhesimeve të organizuara.

Sipas të dhënave të vitit 2025, më shumë se 100 shtetas të Bosnje e Hercegovinës, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë qëndruar në kampe dhe objekte paraburgimi në veri të Sirisë, pa një kohë të qartë kthimi.

Bosnja dhe Hercegovina në vitin 2014 ka futur dispozita të posaçme penale që dënojnë largimin e shtetasve të saj në vatra të huaja lufte për organizata terroriste, përfshirë organizimin e grupeve terroriste, bashkimin me formacione paramilitare të huaja dhe vepra të tjera të ndërlidhura.

Deri më tani, më shumë se 30 persona janë dënuar me vendime të formës së prerë për vepra penale të lidhura me Sirinë dhe terrorizmin, me dënime me burg deri në tetë vjet në shumë raste.

Shumica janë dënuar me rreth tre vjet burg, në raste të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë ose për shkak të mungesës së provave për akuza më të rënda.

Edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Kosova, ka ligje që dënojnë bashkëngjitjen në grupe terroriste dhe po ashtu në Kosovë janë riatdhesuar disa shtetas që kishin shkuar në Siri.

IS-i u mposht më 2017 nga një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Fronti Al-Nusra në ndërkohë ndryshoi emër dhe tani njihet si Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Luftëtarët e këtij grupi

Shumë prej dënimeve të shqiptuara lidhen me kosovarët që i janë bashkuar organizatës Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e njohur edhe si Fronti Al-Nusra. Kjo organizatë ishte shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara më 2013, por më 2025 u hoq nga lista.

HTS ka qenë dikur degë e Al-Kaidës në Siri, mirëpo i ka shkëputur lidhjet me grupin xhihadist më 2016, dhe ka tentuar të krijojë imazh tjetër në publik.

Deri më 2017, HTS-ja ka pasur kontrollin e një pjese të madhe të veriperëndimit të Sirisë dhe ka krijuar administratë civile në atë zonë, mes akuzave për abuzime brutale kundër atyre që dalin kundër regjimit.

Në fund të vitit 2024, luftëtarët e këtij grupi rrëzuan regjimin e Bashar al-Assadit në Siri./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement