Shkruan: Piro Ahmetaj
Sigurisht po e ndjek me përgjegjësi shtesë ngritjen e Bordit të Paqes, si dhe ftesën për Kryeministrin e RSH, çka ka ndezur “debate të ethshme” edhe në Tiranë. Në pamundësi t’iu përgjigjem çdo medieje të interesuar, në vijim gjeni përmbledhje strategjike rreth rrethanave, peshës dhe mesazheve gjeopolitike që mbart ngritja e Bordit të Paqes (BP), jo vetëm për Lindjen e Mesme, por mbarë botën, Ballkanin Perëndimor, përfshi interesat kombëtare (RSH/Kosovës):
Konsiderata, pesha dhe mesazhe gjeopolitike që mbart ngritja e Bordit të Paqes:
Përtej kakofonisë së mirë-ushqyer edhe nga Chat-GPT mes të gjithëditurve dhe kudogjendurve në studiot televizive, për këdo që dëshiron qartësi strategjike rreth BP, do mjaftonte linku i posaçëm (https://en.wikipedia.org/ wiki/Board_of_Peace), ku gjendet informacion i mjaftueshëm mbi: “Historikun; Referencat, Vizionin; Misionin (mekanizëm ndërkombëtar i mandatuar nga Rezoluta e OKB); Strukturën, ftesat për Bordin e Paqes që do drejtohet nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, etj..
Ndërsa për këdo që nuk do të ushqehet apo konsumojë spekulime mediatike dhe politike, përfshirë dezinformime deri te “deep fake” nga armiq potencialë, në vijim gjeni përmbledhje të bazuar në link-un e sipërcituar si dhe konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë:
Bordi i Paqes nuk është menduar si mekanizëm i përfaqësimit burokratik apo PR. Përkundrazi, ai mbështetet në vendosmërinë e Presidentit Trump për të ngritur një Institucion me peshë vendimmarrëse, të mirintegruar edhe me fuqinë ushtarake të SHBA-ve, me mision: “Vendosjen e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme, si dhe zgjidhjen e konflikteve globale”.
Ngritja e BP-së bazohet në “Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit, nëntor 2025”, por në fakt Presidenti Trump me BP tejkalon krizën e pafuqisë burokratike të OKBsë (1945). Për ta ilustruar të mjaftonin: “gjenocidi i Srebrenicës në 1995 dhe i Kosovës në 1999 nga makineria kriminale e Millosheviçit; 22 vite negociata diplomatike, rezoluta apo lutje ndaj Ajatollahut të Iranit për ndalimin e programeve bërthamore; agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës etj.”. Ndërsa për “revoltën” për aksesorin, mikrofonin dhe rezervat e Presidentit Trump ndaj OKB-së sjell në kujtesë refuzimin turpërues që Trump i bëri “ofertës tinëzare” të Putinit për të ndërmjetësuar me Ajatollahun, apo përgjigjen me vepra se: “as i shkonte në mend të merrte leje nga KS” për prangosjen e Maduros, i cili e kishte kthyer Venezuelën në parajsë ruso-kineze dhe të narkoterrorizmit, duke kërcënuar sigurinë e SHBA-së si dhe jetën e amerikanëve.
BP nuk u përzgjodh brenda javës, por si vijimësi e përpjekjeve të Presidentit Trump: “Për ta bërë jo vetëm më të fortë Amerikën, por edhe superfuqi të pakonkurrueshme për paqen, stabilitetin dhe rendin global”. Kështu, kujtojmë se në mbrëmjen para Samitit të Paqes në Sharm el-Sheikh (13 tetor 2025), Trump deklaroi se: “Lufta ka mbaruar dhe se BP do të formohet së shpejti”! Në fillim të 2026, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ish-koordinatori special i OKB-së për Lindjen e Mesme, z. Nickolay Mladenov (aktualisht drejtor ekzekutiv i BP). Ndërsa më 15 janar 2026 Presidenti Trump shpalli zyrtarisht ngritjen e Bordit, si dhe një listë me kryetarë shtetesh që u kishte dërguar ftesa për t’u bashkuar në ditën e konstituimit zyrtar të BP.
Ngritjen e BP e gjej edhe si masë të mirintegruar me konceptin e Trump: “Paqe nëpërmjet Forcës”; qasje që imponoi armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit, Kongo-Ruandë si dhe u demonstrua në operacionin për prangosjen e Maduros dhe ndaj bazave bërthamore të Iranit, të cilat do të shërbejnë edhe si “mesazhe të fuqisë shkatërrimtare të SHBA-ve ndaj Putinit, Kim Jong-un etj., nëse guxojnë të kërcënojnë interesat e SHBA-ve apo të ndonjërit prej 32 vendeve anëtare”.
Ndërsa vlerësoj se ftesat e adresuara nga drejtuesi i BP, Presidenti Trump, nuk janë mbështetur në parimet e gjithëpërfshirjes burokratike, as në renditje alfabetike të kryetarëve të 193, 100 apo 50 shteteve, por janë një listë e mirëmenduar me udhëheqës vendesh që kanë besueshmëri strategjike, peshë vendimmarrëse, eksperiencë dhe impakt për paqen në Lindjen e Mesme, si dhe për zgjidhjen e konflikteve rajonale apo globale. Konkretisht, në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, si themelues të BP-së janë ftuar 20 kryetarë shtetesh, përkatësisht të RSH-së, Argjentinës, Australisë, Brazilit, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Qipros, Egjiptit, Hungarisë, Indisë, Italisë, Greqisë, Jordanisë, Zelandës së Re, Pakistanit, Turqisë, Rusisë etj. (lista po përditësohet, por në rastin më të mirë nuk pritet të kalojë 30 shtete nënshkruese).
Pavarësisht se në parim çdo përfaqësim ka kosto (free), për ta qartësuar spekulimet mbi “çmimin e karriges” po citojmë reagimin e Shtëpisë së Bardhë: “Nuk ekziston asnjë kërkesë e SHBA-ve për të kontribuar 1 miliard dollarë”, por shton se: “nëse një vend kontribuon 1 miliard dollarë, fiton statusin e anëtarit të përhershëm, në vend të anëtarësimit me afat 3- vjeçar”.
Vlerësim, privilegj dhe përgjegjësi e shtuar për RSH:
Përkundër kujës së pronarëve të kompanisë/opozitës së falimentuar, të refuzuar dhe të neveritur nga mbarë shqiptarët si dhe përtej fantazive egocentrike të një grushti delikuentësh (për arrestimin e Ramës në Surrel me komandot amerikanë si në rastin e Maduros, mospjesëmarrjen e KM-RSH në Samitin e Uashingtonit 2024, vizitën e ish-Sekretarit të Shtetit J. Kerri në Tiranë), apo ëndrrave deficentësh për qeveri apo ministra teknikë etj., =: “ftesën e Presidentit Trump ndaj Kryeministrit Rama për të qenë ndër themeluesit e Bordit të Paqes e çmoj jo vetëm vlerësim të merituar dhe mundësi të artë përfaqësimi të RSH në tavolinat e vendimmarrjevetë mëdha, por edhe si përgjegjësi e shtuar ndaj interesave kombëtare”!
Po ashtu, përzgjedhjen e RSH-së në BP e çmoj edhe si “kundërpërgjigje të mençur” të Uashingtonit ndaj mirënjohjes mbarëkombëtare për: “mbështetjen 114- vjeçare të SHBA-ve për pavarësinë e RSHsë, çlirimin e Kosovës, tejkalimin e krizës së demokracisë fasadë, luftën kundër korrupsionit, ngritjen e SPAK-ut etj.”, por edhe kontributeve të RSH mbas 1996, ku: “mbi 1 miliard euro si dhe 12 mijë burra dhe gra me uniformë kanë shërbyer krah trupave të USA në rajon, Irak, Afganistan, Lindjen e Mesme, Gjeorgji, Ukrainë etj.”.
Në të njëjtën kohë, nënvizoj se përzgjedhja e RSH-së në këtë Bord nuk ka ardhur rastësisht dhe as për marrëdhëniet SHBA-RSH në 15 vitet e fundit, por “si ndër faktorët me besim te të dyja palët në konflikt” (arabët dhe Izraeli). Kujtoj se RSH e ka njohur Palestinën që më 1988, është anëtarësuar në Konferencën Islamike më 1991 (nënshkruar nga R. Alia dhe rikonfirmuar nga S. Berisha në dhjetor 1992) si dhe më 2015, RSH ndër 119 vendet që votuan ngritjen e flamurit palestinez në OKB. Nga ana tjetër, RSH-ja ka bashkëpunim të shkëlqyer edhe me Izraelin për shkak të “besës humane” në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe të lobit izraelit pro bombardimeve të Serbisë dhe për njohjen e Kosovës (nën kujdestarinë e Trump-1) etj..
Thënë sa më lartë, “ftesën nuk e gjej kurrsesi si dhuratë personale për Edi Ramën, as si pasaportë apo mbështetje amerikane për të mbajtur edhe pesë apo gjashtë mandate pushtetin”. Gjithsesi, nuk mund të mohohet që z. Rama, edhe për shkak të karizmës editoriale si dhe fuqisë 13- vjeçare të pushtetit: “ka rritur ambiciet dhe peshën e përfaqësimit të interesave të RSHsë, ndaj edhe konsiderohet ndër aktorët me impakte më shumë se modeste në Lindjen e Mesme etj.”. Njohur këtë, do ta këshilloja Kryeministrin Rama që pjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Trump, përveçse si privilegj personal, ta adresojë si një mundësi të artë dhe përgjegjësi shtesë për forcimin e besimit/partneritetit strategjik me USA në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike (fatmirësisht të ndërthurura) me ato të ShBA-ve në NATO, rajon dhe Mesdhe.
Në përmbledhje, duke përsëritur rëndësinë e pjesëmarrjes në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha, mbetem besimplotë se ngritja e Bordit të Paqes, e mirintegruar me (super)fuqinë ushtarake të pakonkurrueshme të SHBA-ve si dhe nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump, do të bëjë që: “jo lufta gjakatare, por paqja, rendi global, vlerat e qytetërimit dhe demokracia të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, si dhe mbi shtetet dhe organizatat narko-terroriste”. Me këtë rast (dhe përtej transheve partiake), rikonfirmoj përkushtimin për të vijuar të kontribuoj me eksperiencën dhe përgjegjshmëri në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave gjeopolitike, si dhe të ardhmërisë euroatlantike të RSH dhe Kosovës.