Në faqen zyrtare të Bordit të Paqes është publikuar edhe dokumenti zyrtar i nënshkruar nga disa prej liderëve të shteteve pjesëmarrëse të cilat janë zotuar për të dërguar ushtarë në Gaza në kuadër të planit të Trumpit për paqe.
Në mesin e liderëve që kanë nënshkruar një zotim të tillë është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Ne, të nënshkruarit, të bashkuar nga një përgjegjësi e përbashkët për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin, me anë të kësaj pohojmë angazhimin tonë për të mbështetur Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) të Bordit të Paqes për Gazën, siç është miratuar nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 17 nëntorit 2025. Ne e pranojmë se paqja e qëndrueshme kërkon vendosmëri kolektive, veprim në kohë dhe ndarje të barrës në shërbim të sigurisë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e zotimit.
Lidhur me këtë temë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka rikujtuar se ka qenë ai që kishte dhënë leje për Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjeneralin e FSK-së që të merrnin pjesë në një konferencë në Doha të Katarit për t’iu bashkuar Forcës Stabilizuese për Gazan.
“Ministri i Mbrojtjes në mandatin e kaluar dhe nga komandanti i Ushtrisë sonë Gjeneral Bashkim Jashari, nga unë është kërkuar në vitin e kaluar leja për të shkuar në një konferencë në Doha të Katarit lidhur me forcën ndërkombëtare stabilizuese për Gaza. Siç e dini ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro për ndihmë në Gaza dhe FSK për shkak të aftësive, kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në këtë Forcë Stabilizuese ndërkombëtare”, ka thënë Kurti sot në një konferencë.
Kurti ka thënë se përveç Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare, do të ketë krahas edhe një organizatë ndërkombëtare politike, por që me hollësitë merren Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes.
“Ka shumë hollësi që shumë më tepër merren ministria e jashtme dhe ministria e mbrojtjes”, ka përfunduar Kurti.
