Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë - Gazeta Express
string(103) "bordi-i-paqes-e-mirepret-angazhimin-e-qeverise-se-kosoves-per-te-avancuar-paqen-dhe-rindertimin-ne-gaze"

Lajme

Gazeta Express

31/03/2026 6:51

Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë

Lajme

Gazeta Express

31/03/2026 6:51

Bordi i Paqes ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës në Gazë, duke e mirëpritur këtë angazhim.

Në një postim në rrjetin social X, Bordi i Paqes theksoi mbështetjen për vendimin e institucioneve të Kosovës.

“Bordi i Paqes e mirëpret angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gazë”, thuhet në reagim.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

“Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha ai.

Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur më herët se propozimvendimi për këtë çështje ishte përcjellë në Qeveri më 3 mars.

Vendimi i Qeverisë vjen pasi funksionalizimi i punës së Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 25 mars, ka hapur rrugën për trajtimin e çështjeve të tilla.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundon më 4 prill.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.

Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.

Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Advertisement
Advertisement
Advertisement