Federico Chiesa ishte protagonist në fitoren 4-2 të Liverpool ndaj Bournemouth në hapjen e sezonit të ri në Premier League, por menjëherë pas ndeshjes kanë shpërthyer spekulimet për të ardhmen e tij.
Italiani, i cili u bashkua me “The Reds” nga Juventusi verën e kaluar, shënoi golin e parë në kampionat për këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën e Arne Slot të marrë tre pikët me dy gola të shënuar në minutat e fundit nga ai dhe Mohamed Salah.
Megjithatë, e ardhmja e tij në Anfield ka qenë prej kohësh në dyshim. Chiesa, i kontraktuar deri në vitin 2028, pati një sezon të parë të vështirë në Angli, ku aktivizimet e tij ishin kryesisht në Kupë dhe rrallëherë në Premier League.
Kjo ka bërë që emri i tij të lidhet me një rikthim në Serie A, ku Napoli, Roma, Milan dhe madje edhe Juventusi janë përmendur si destinacione të mundshme.
Pas ndeshjes, trajneri Arne Slot komentoi për situatën e lojtarit:
“Sa kohë që është këtu, sigurisht që është lojtar i Liverpool. Nuk kam asnjë arsye të besoj se diçka do të ndryshojë. E pati të vështirë sezonin e kaluar me formën fizike, por sot iu përgjigj në mënyrën më të mirë tifozëve që e kanë mbështetur gjithmonë.”
Një ditë më vonë, gazetari i njohur Fabrizio Romano publikoi një përditësim të madh mbi situatën e Chiesas. Sipas tij:
“Federico kurrë nuk ishte i dëshpëruar të largohej nga Liverpool. Në qershor e korrik, ai ndjeu sikur nuk kishte hapësirë dhe mendoi ‘nëse nuk luaj, duhet të largohem’. Por për momentin është i lumtur dhe dëshiron të qëndrojë te Liverpool.”
Megjithatë, Romano theksoi se gjithçka mund të ndryshojë nëse ndonjë ofertë joshëse nga Italia mbërrin në tryezë.
Vetë Chiesa, në një intervistë për Corriere dello Sport në qershor, e pranoi se kishte kaluar një sezon të vështirë adaptimi.
“Ishte si të më hidhje në një planet tjetër. E fillova vonë, pa përgatitje, pa miqësore dhe Liverpool po luante me një intensitet të pabesueshëm. Pavarësisht vështirësive, është një eksperiencë që do ta bëja sërish. Do të ulem me klubin dhe familjen për të vendosur, por nuk do më pengonte aspak të qëndroja në Liverpool.” /GazetaExpress/