Boksierët e Kosovës udhëtuan drejt Londrës për norma olimpike - Gazeta Express
string(61) "boksieret-e-kosoves-udhetuan-drejt-londres-per-norma-olimpike"

Boksierët e Kosovës udhëtuan drejt Londrës për norma olimpike

Gazeta Express

12/03/2020 14:44

Boksierët kosovarë synojnë ta fitojnë një vend që siguron kualifikimin direkt për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Kombëtarja e Kosovës në boks është nisur sot drejt Londrës, ku prej 14-24 mars 2020 do të mbahet turneu kualifikues evropian për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Lexo Edhe:

Ekspedita e boksit përbëhet nga boksierët: Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku dhe Besart Pireva, trajnerë: Shefki Bogujevci e Besim Brahimi, si dhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, njëherësh zëdhënës i FBOXK.

Boksierët tanë synojnë të fitojnë një vend që siguron kualifikimin direkt për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kampiones së tanishme ballkanike, Donjeta Sadiku, e cila garon në kategorinë deri në 60 kilogramë, do t’i mjaftonte pozita e gjashtë për të siguruar ‘biletën’ për në Tokio 2020.

Falë mbështetjes financiare të Komitetit Olimpik të Kosovës, Donjeta, si bursiste e KOK-ut, ishte përgatitur në kampin ndërkombëtar në Trabzon të Turqisë.

Ajo më herët kishte deklaruar se në Londër synon pozitën e parë, shkruan Gazeta Express.

Patriot Behrami, i cili në Lojërat Evropiane Minsk 2019 doli i pesti, do të garojë në kategorinë -69 kilogramë.

Edhe atij, njësoj si Sadikut, do t’i mjaftonte pozita e gjashtë për kualifikim në Tokio 2020.

Mënyrë të njëjtë kualifikimi ka edhe Besart Pireva në kategorinë deri në 75 kilogramë.

Sigurimin më të lehtë të normës e ka Shpëtim Bajoku, kategoria -63 kilogramë.

Atij i mjafton të kualifikohet në çerekfinale dhe të sigurojë “vizën” për në Lojërat Olimpike.

“Boksierët janë në formë të mirë. Ata kanë pasur disa përgatitje dhe mendoj se janë maksimalisht të përgatitur. Nesër hedhet shorti dhe shpresojmë edhe në fat. Me dy deri në tri fitore boksierët e sigurojnë kualifikimin në Lojërat Olimpike”, ka thënë para nisjes zëdhënësi i FBOXK, Latif Demolli.

Garat në Londër organizohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pas pezullimit të bërë Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).

Mundësinë e dytë për kualifikim në LO Tokio 2020 boksierët tanë e kanë në Paris, ku prej 13-24 maj 2020 mbahet turneu kualifikues botëror. /Gazeta Express/