Boksierët e Kosovës nuk lejohen të hyjnë në Serbi - Gazeta Express

Boksierët e Kosovës nuk lejohen të hyjnë në Serbi

Sport

Gazeta Express

23/10/2021 11:26

Një situatë skandaloze është parë sot nga autoritetet serbe te cilat nuk kanë lejuar boksierët e Kombëtares së Kosovës të hyjnë në territorin e Serbisë.

Delegacioni i Kosovës ishte nisur për në Beograd, ku duhej të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator, që fillon nesër.

Lexo Edhe:

Delegacionit të Kosovës i është kërkuar të lë në kufi uniformat me shenjat e Kosovës, si kusht për të hyrë në Serbi. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga drejtuesit e delegacionit kosovar.

“Rreth orës një jemi nisur për në Beograd. Jemi ndalë në kufi në Konçul nga policia serbe dhe nuk na lejuan të dalim andej, për shkak të shenjave të Kosovës në tutat sportive dhe në fanellat tona. Në to shkruan KOS, ndërsa na thanë se duhet t’i lëmë në kufi dhe mund të vazhdojmë. Por siç jemi dakorduar me AIBA-n, që marrim pjesë vetëm me shenja të Kosovës, ne nuk pranuam. Tani jam në kontakt me zyrën e AIBA-s dhe po presim përgjigje”, ka treguar Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës. “Na thanë lëreni uniformën këtu dhe me përcjellje ju dërgojmë në Beograd. Ne jemi në kufi duke kontaktuar me AIBA-n për të intervenuar”, ka shtuar Demolli.

Kosova ka paraqitur tre boksierë për të garuar në Botëror.

AIBA dhe Federata e Boksit e Serbisë si organizatore e Botërorit, nuk kanë pranuar të kontaktojnë për pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror, që nëse realizohet, do të jetë historike.