Boksierët e Kosovës nisin të ushtrojnë edhe në karantinë, i ndërpret policia - Gazeta Express
string(75) "boksieret-e-kosoves-nisin-te-ushtrojne-edhe-ne-karantine-i-nderpret-policia"

Boksierët e Kosovës nisin të ushtrojnë edhe në karantinë, i ndërpret policia

Gazeta Express

20/03/2020 12:29

Ekipi kombëtar i Kosovës në boks, i cili po qëndron në karantinë, ka nisur të stërviste sot në oborrin e konvikteve në Prishtinë, por më pas ka intervenuar Policia e Kosovës dhe i ka ndërprerë këto ushtrime. Boksierët më pas e përdorën Planin B, duke ushtruar brenda në konvikt

Ekipi kombëtar i Kosovës në boks nuk e ka ndërmend të ndalet, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Edhe pse kanë përfunduar në karantinë direkt pas ardhjes nga Anglia, boksierët kosovarë po mundohen ta mbajnë formën e tyre, për shkak të sfidave dhe garave që i presin në muajt e ardhshëm.

Sot madje ata tentuan të ushtronin në oborrin e konvikteve në Prishtinë, aty ku janë vendosur dhe ku do të qëndrojnë për 2 javë.

Mirëpo, jo gjithçka shkoi sipas planit të tyre.

“Sot në mëngjes ekipi i Kombëtares së Kosovës në boks nisi ta bënte stërvitjen e mëngjesit sa për ta ruajtur formën në hapësirë para konviktit. Por, pas dy minutash, policia na ndërprenë stërvitjet me urdhër të dikujt lartë, emrin e së cilit nuk e cekën. Ata na mbyllën brenda në konvikt. Sidoqoftë, ekipi e vazhdoi stërvitjen brenda në konvikt pa kushte elementare dhe hapësirë të pamjaftueshme. Boksierët duhet stërvitur dhe duhet ta mbajnë formën dhe peshën për arsye se pas një apo dy muajsh do të vazhdojnë kualifikimet për Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’”, njofton zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

Boksierët kosovarë dje kanë kërkuar të lirohen dhe ta vazhdojnë vetëizolimin në shtëpi, por kërkesa e tyre nuk është përfillur.

Ata morën pjesë në një turne kualifikues për Olimpiadë në Londër, por ky turne u ndërpre shkaku i koronavirusit.

Ekipi kombëtar i Kosovës në boks u rikthye të mërkurën në Kosovë me aeroplan privat të ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli. /Gazeta Express/