Teksa kanë kaluar dy ditë që nga ngjarja ku dy shtetas rusë dhe një ukrainas, tentuan të hynin në godinën e Uzinës ushtarake të Gramshit, vihet re që institucionet ruse, si ministria e Jashtme apo ambasada ruse në Tiranë kanë rënë në heshtje.
Ndërkohë ditën e djeshme, autoritetet shqiptare vunë në dijeni ambasadën ruse në Tiranë, për këtë incident, që nëse do të rezultojë vërtet me përfshirjen e spiunazhit rus, atëherë do të merrte përmasa tepër të mëdha, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vend të NATO-s.
Të paktën publikisht, diplomacia ruse nuk është interesuar për shtetasit apo qoftë edhe për imazhin e saj, kur bëhet fjalë për akuza të tilla të rënda si spiunazhi.
Madje ky lajm, as në mediat ruse nuk ka arritur të depërtojë.
Një prej të arrestuarve është shtetasja ruse e lindur në Moskë, 33-vjeçarja Svetlana Timofeeva. Ajo është tepër e njohur në Rusi dhe ka një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale ku prej shumë vitesh shfaqet si blogere. Madje Timofeeva shpesh herë ftohet në evente në Moskë, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në një event të Ministrisë së Kulturës Ruse, ku ajo ishte folësja kryesore për udhëtimet dhe fotografitë e saj.
Megjithëse kaq e njohur, nga Kremlini, deri më tani s’ka asnjë reagim për ta lidhur me akuzat tashmë zyrtare për spiunazh në vendin tonë.
/Gazeta Express