Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar i irrituar për skandalin e shëmtuar me protagonistë palën greke në doganën e Kapshticës, ku ekipet e xhirimit të A2 CNN dhe TV Klan u mbajtën peng për tre orë në kufi nga efektivët helenë.
Ai e konsideron ndalimin e gazetarëve në kufi dhe privimin për të ushtruar detyrën një sjellje primitive të autoriteteve në Athinë, të cilat shkelin çdo të drejtë dhe liri të individëve.
“Është e papranueshme, e patolerueshme, skandaloze dhe absolutisht primitive që një shtet anëtar i Bashkimit Europian të bllokojë në kufi gazetarët që janë duke kryer detyrën e tyre. Është e patolerueshme që një vend i BE-së shkel të drejtën për informim, shkel të drejtën e njeriut, shkel të drejtën elementare të lëvizjes së çdo qytetari shqiptar. Ngjarje të tilla mund të kesh, vonesa në kufi në vende diktatoriale, por që një vend i BE t’ju kërkojë gazetarëve shkresë nga Ministria e Jashtme apo letër shoqërimi, është të shkelësh çedo parim të lirisë së mediave dhe t’i kërkosh gazetarëve që të vihen nën tutelën politike. Ndaj edhe njëherë insistoj, ajo që po ndodh në kufirin grek, është as më shumë e as më pak një gjest primitiv i një shteti në të cilin inati dhe mëria dominon mbi të drejtat dhe mbi parimet europiane”, shprehet Fevziu në një video të publikuar në rrjetin social Instagram.
Kujtojmë se saga e “pengmarrjes” greke ndaj mediave shqiptare në Kapshticë mori fund rreth orës 17:10, kur doganierët grekë ju kthyen gazetarëve dhe operatorëve pasaportat e vulosura, në mënyrë që të vijojnë udhëtimin drejt Selanikut për të transmetuar takimin që kryeministri Edi Rama do të zhvillojë nesër në Porto Palace Hotel me bashkatdhetarët.